Ndërlidhjet

Miliardat e diasporës dhe mungesa e kujdesit shtetëror


Pushteti lokal dhe ai qendror në Kosovë, po kritikohet nga përfaqësues të shoqërisë civile, se nuk janë duke bërë aq sa duhet për qytetarët e saj, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës.

Procedurat burokratike në pajisjen me dokumente civile, për të cilat këta qytetarë të Kosovës kanë nevojë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, janë evidente.

Përveç kësaj, sipas tyre, shteti i Kosovës ende nuk ka krijuar lehtësira për investitorët potencial që vinë nga diaspora.

Arbëresha Loxha, analiste e Grupit për Studime Juridike e Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ka interesim të madh të këtyre qytetarëve për të investuar në Kosovë, por që qeveria nuk është duke u treguar serioze në këtë drejtim.

“Përkundër faktit se ka interesim të madh të diasporës për të investuar në Kosovë, Qeveria e Kosovës si duket nuk e ka marrë seriozisht këtë. Është bërë shumë pak në këtë drejtim, më konkretisht Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një strategji proaktive me të cilën do të krijonte parakushte apo mundësi përmes së cilave qytetarët tanë në diasporë do të vinin dhe do të investonin në Kosovë”, shprehet ajo.

Ajo thekson se barrierat administrative, korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit në Kosovë, janë pengesa më të mëdha për investitorët potencial të diasporës.

Të gjitha këto pengesa, shton Loxha, Qeveria e Kosovës duhet t’i eliminojë dhe investitorëve potencial të diasporës që vinë në Kosovë t’iu mundësohet që të krijojnë biznese të suksesshme.

“Aktualisht nëse e shohim se çfarë ka bërë Qeveria është themelimi i Komisionit Ndërministror për promovimin e investimeve nga diaspora, e cila ka për qëllim që të krijojë politika të përbashkëta me të cilat do të promovonin mundësitë dhe përparësitë e të bërit biznes për investitorët nga diaspora”, shton ajo.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lorik Pustina, udhëheqës i Divizionit për Komunikim në Ministrinë e Diasporës, ka theksuar se janë duke punuar në vazhdimësi me autoritetet kompetente për nevojat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

“Ministri i Diasporës Valon Murati, në maj të këtij viti ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me të gjitha komunat e Kosovës dhe ka kërkuar që bashkatdhetarët të kenë një qasje më të shpejtë sa i përket procedurave administrative në nxjerrën e dokumenteve civile. Procedurat administrative nëpër komunat e Kosovës dhe në Agjencionin e Regjistrimit Civil janë duke u kryer në mënyrë të shpejtë".

Ndërkaq, sa i përket lehtësirave për investitorët potencial nga diaspora, Pustina ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka miratuar një pako të lehtësirave fiskale për investitorëve që vijnë nga diaspora dhe se pritet zbatimi i saj.

“Pra kemi të bëjmë me lehtësira tatimore dhe fiskale në rast të investimeve që kapin shuma të ndryshme prej 10 mijë euro e më lartë. Nëse një kompani investon dhe hap vende të punës atëherë ajo kompani do të ketë tatimin e hequr në importimin e lëndës së parë, makinerisë së rëndë, uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe një varg lehtësirash tjera”, sqaron Pustina.

Ndërkohë, gjatë muajve të verës nuk kanë munguar aktivitet kulturore për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit e të cilët kanë ardhur për pushime në Kosovë.

Janë mbi 200 aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, të cilat, kanë nisur me 17 qershor dhe do të përfundojnë me 3 shtator.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

XS
SM
MD
LG