Ndërlidhjet

Vërshime vdekjeprurëse në Tetovë


Nga vërshimet të hënën në rajonin e Tetovës kanë mbetur pa jetë 4 persona, ndërkohë që dy mbeten të zhdukur.

“Nga vërshimet që kapluan rajonin e Tetovës, 4 persona kanë humbur jetën. Tre nga viktimat janë nga fshati Shipkovicë e Tetovës, dy fëmijë dhe një i moshuar. Trupi i pa jetë një fëmije tjetër nga Tetova është gjetur në fshatin Reçicë e vogël”.

“Njëherësh dy persona janë lajmëruar si të zhdukur, një vajzë 6 vjeçare nga fshati Shipkovicë dhe një burrë në moshën 61 vjeçare nga fshati Liseç i Tetovës”, ka bërë të ditur zëdhënësi i dikasterit të policisë në Tetovë Marjan Josifovski.

Nga dikasteri i policisë gjithashtu kanë njoftuar se si pasojë e vërshimeve, janë lënduar 11 persona ndërkohë që kanë mbetur të rrënuar mbi 30 shtëpi në Shipkovicë dhe fshatrat e Malësisë së Tetovës.

Në Shipkovicë, ekipe të shpëtimit janë duke punuar për të nxjerrë një vajzë të vogël e cila mbetet e zhdukur nën gërmadhat e shtëpisë së saj, ku ka qëndruar me të ëmën dhe gjyshen, e që ka mbetur i vdekur edhe vëllai i saj dy vjeçar.

Xhaxhai i vogëlushes së humbur, Xhevxhet Ahmeti, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se nga ora shtatë e mëngjesit të gjithë bashkëfshatarët, me ndihmën e forcave të armatës tentojnë për ta nxjerrë vajzën nga gërmadhat e shtëpisë tërësisht të rrënuar nga rrëmbimet e ujit.

“Vajza e vëllait tim ende mbetet nën gërmadha, ja jemi duke e kërkuar. Dje nuk ishim ne burrat në shtëpi dhe sapo mbërritëm filluam me kërkimet deri sa ra nata. Sot që nga ora shtatë sërish kemi vazhduar kërkimet”, thotë Xhevxhet Ahmeti.

Ndërkaq, Fetah Zabiri i cili mbrëmë ka humbur të atin 82 vjeçar në Shipkovicë, rrëfen se në momentin e kobshëm kur ka shpërthyer stuhia ka vrapuar të ndihmojë fqinjët për të shpëtuar fëmijët.

“Brenda një minute është mbushur dhoma e ndenjes poshtë ku qëndronin fëmijët e fqinjit tim me të shoqen dhe nënën e tij. Një litar ma gjeti gruaja e fqinjit dhe e kam nxjerrë të vdekur njërin fëmijë të saj. Fëmija tjetër fatmirësisht ishte i gjallë i mbuluar tërë baltë dhe në fund me të njëjtin litarë e kam tërhequr për të shpëtuar gruan e fqinjit”.

“Në atë moment që unë ndihmoja fqinjët babai im mbeti në lokalin e kafiterisë, unë s’kisha kohë as të mendoj sepse isha i bllokuar me shpëtimin e fëmijëve”, na rrëfen Fetah Zabiri.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Banorët e Malësisë së Tetovës apelojnë për ndihmë në ilaçe, ujë të pijshëm dhe ushqim.

“Kjo popullatë ka shumë nevojë për ta ndihmuar. Është një katastrofë e cila s’ka ndodhur me vite. Është një katastrofë e përmasave të mëdha ku kemi kufoma të cilat si nxjerrim dot nga shtëpia, e keqja më e madhe është se pas sa orësh tani mund të them më shumë se 20 orë, ende s’kanë ardhur ndihmesat me përmasa serioze”.

“Komuna urgjentisht duhet të ndërmerr masa nga faktorët që janë përgjegjës për raste emergjente, sepse bashkësia lokale nuk i ka forcat që të dal nga kjo situatë. Një buldozer dhe dhjetëra pjesëtarë të armatës fare nuk janë të mjaftueshëm për të menaxhuar këtë situatë”, thekson Kadri Zeqiri nga Shipkovica.

Edhe mjeku i Malësisë së Tetovës, Refik Veseli, thotë se ekipet e emergjencës duhet të reagojnë shpejtë sepse ka rrezik të shfaqjes së epidemive veçanërisht nga mungesa e ujit.

“Duhet të kyçen të gjitha organet e higjienës sanitare sepse këtu ka edhe bagëti, nësenuk pastrohet shpejt kjo zonë ka rrezik të shfaqen epidemitë”, thekson mjeku Veseli.

Malësia e Tetovës mbi fshatin Shipkovicë, ku gravitojnë tre fshatra, mbeten tërësisht të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve nga drunjtë dhe gurët.

Dashmir Sadiku nga këshilli i emergjencës, thotë se tre fshatrat e Malësisë së Tetovës, Brodec, Veshallë dhe Bozovc akoma mbeten tërësisht të bllokuara.

“Një popullatë prej 5 apo 6 mijë banorë në fshatrat mbi Shipkovicën, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë mbeten tërësisht të shkëputur. Rruga është e bllokuar mbi fshatin Shipkovicë në hyrje të fshatit Veshallë, informatat tona thonë se atje për fat të mirë nuk ka të lënduar por ne s’mund tu ofrojmë asnjë ndihmë përderisa nuk mund të arrijmë atje”, thekson Dashmir Sadiku.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka formuar shtabin e krizës për të koordinuar aktivitetet në ndihmë të popullatës së goditur nga vërshimet, ndërsa ajo të hënën në mbrëmje ka dalë për të vëzhguar situatën në teren.

Kryetarja Arifi i siguroi banorët e fshatrave Poroj,Shipkovicë, Reçicë e vogël si dhe banorët e lagjes rruga e Banjës, të përshirë nga vërshimet, që komisioni i formuar nga qeveria do të dëmshpërblej banorët e dëmtuar.

Njëherësh këshilli komunal i Tetovës ka shpallur ditë zie 5 dhe 6 gushtin.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar gjendjen në zonat e përmbytura.

“Gjendja është alarmante në rajonin e Tetovës, dhe për t’i dalë në ndihmë popullatës në këtë zonë janë nxjerrë 12 buldozer dhe 9 kamion me atë që të gjithë të punësuarit në njësinë e Tetovës janë në teren dhe nga afër e vëzhgojnë situatën minutë pas minute, nëse do të ketë nevojë do të angazhohen njësitë plotësuese për të ndihmuar”, tha Llasko Mukaetov nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

XS
SM
MD
LG