Ndërlidhjet

BE po përcjell situatën me migrantë në Maqedoni


Bruksel
Bruksel

Bashkimi Evropian ka thënë se është në dijeni për vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për të shpallur gjendje krize në kufijtë e saj jugorë dhe veriorë, për shkak të fluksit të madh të migrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

“Jemi në kontakt me autoritetet dhe me Komisionarin e Lartë të OKB-së për Refugjatë. Në këtë fazë, jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet dhe masat që tashmë janë ndërmarrë apo paraparë nga qeveria. Po bëjmë përpjekje të vërtetojmë faktet”, ka thënë Catherine Ray, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Ajo çfarë mund të them është se ne tashmë jemi duke ofruar ca ndihmë humanitrare për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, për t’u përballur me presionin e migrantëve”, ka shtuar Ray.

Të enjten, Maqedonia ka shpallur gjendje të krizës dhe ka mbyllur kufirin e saj për migrantët dhe refugjatët.

Forcat speciale të Maqedonisë kanë përdorur sot gazin lotsjellës për të shpërndarë mijëra migrantë dhe refugjatë, të cilët kanë bërë përpjekje të hyjnë në Maqedoni nga Greqia, përkatësisht nga pika kufitare Gjevgjeli.

XS
SM
MD
LG