Ndërlidhjet

Fjalori i kompromisit nxit "luftën" për kompetenca


Flamuri i Kosovës dhe Serbisë
Flamuri i Kosovës dhe Serbisë

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, gjegjësisht Bashkësia e komunave me shumicë serbe, siç i referohen përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, janë dy terme që dalin nga marrëveshja e Brukselit, për të njëjtin organ, i cili pritet të formohet.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në vazhdimësi kanë përsëritur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, ndërkaq që në anën tjetër, autoritetet e Serbisë, kanë insistuar që kjo Bashkësi, të ketë më shumë se sa që ofron legjislacioni i Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe juridike në Kosovë, vlerësojnë se pala e Kosovës, me pranimin e këtyre dy terminologjive në marrëveshjen e Brukselit, ia ka mundësuar Serbisë që në Kosovë të vendos sovranitet të dyfishtë.

Lexoni këtu marrëveshjen e arritur më 19 prill 2013.

Profesor Mazllum Baraliu, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon dykuptimësinë e organit që bartë dy emërtime, Asociacion dhe Bashkësi.

“Gjithsesi dallimet ekzistojnë. Fjala ‘Bashkësi’ ka një substancë tjetër në aspektin juridik formal dhe esencial, sepse, në fakt, mundet që rreth këtij koncepti të inkorporohen më shumë kompetenca dhe më shumë ingerenca. Ndërkaq, për nga definicioni, fjala ‘Asociacion’, në gjuhën shqipe, sigurisht që ka një konotacion tjetër. Pra, tjetër ngjyrosje dhe përmbajtje, jo juridike, jo ingerenciale, jo me kompetenca, por të një bashkimi të lirë qytetar”.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se dykuptimësia e një organi, ndërlidhet me insistimin e Beogradit zyrtarë që ky organ, në të ardhmen, të jetë një mini-shtet i serbëve në Kosovë, si dhe me frikën e Qeverisë së asokohshme të Kosovës që në rast se e pranon termin “Bashkësi”, kjo do të nënkuptonte atë që edhe Serbia e mëtonte.

Duke u nisur nga kjo, sipas Korenicës, Bashkimi Evropian ka ofruar dy terme, të cilat do t’i kënaqnin të dyja palët.

“Në versionin serb, ‘Zajednica’ (‘Bashkësia’) paraqet strukturën institucionale, në të cilën, në mënyrë të monopolizuar përfaqësohet interesi serb në Kosovë. Pavarësisht se çfarë do të jenë detajet e diskursit që do të vendos në lidhje me themelimin e Asociacionit, mbi këtë premisë të ‘Bashkësisë’, Serbia nesër do e kërkojë hisen në qeverisjen e drejtpërdrejtë të komunave serbe, prej nivelit të Beogradit".

"Me vet faktin që Kosova e ka bërë gabimin e pranimit të kësaj dykuptimësie, i ka dhënë mundësinë Serbisë që kur të themelohet ky asociacion, mbi të ta shtrijë një model të sovranitetit të dyfishtë”.

Korenica shtoi se ky sovranitet i dyfishtë nënkupton që në njërën anë “Bashkësia” është organ i themeluar sipas ligjeve të Kosovës, por në anën tjetër është gjithashtu një organ me bazë në sistemin kushtetues të Serbisë.

“Me këtë sovranitet të dyfishtë, në fakt Kosova ia ka pranuar Serbisë që ajo të jetë kontrolluesja politike e serbëve në Kosovë dhe i ka hapur rrugën që në mënyrë institucionale, duke i thirrur në ‘Zajednicën’ (Bashkësinë), ta lidhë edhe kontrollin që nesër do i bëjë tërë përfaqësuesve serbë në Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, prej Beogradit”.

Profesor Baraliu, thotë se organi që do të formohet, për të cilin aktualisht përdoren dy terme, do të prodhojë një strukturë autonome dhe një entitet të veçantë.

“Kjo do të jetë një entitet, një pushtet i tretë, i ndërmjetëm, i cili nuk ekziston as në kushtetutën tonë e as në ligjet tona dhe ai do të sjellë probleme edhe më të mëdha se që po i sjellë Republika Serbe Bosnjës. Do të thotë, një paralizë totale, një invalidizim të shtetit, një disfunksionalizim”.

Për shkak të mosarritjes së pajtimit lidhur me kompetencat e Asociacionit, gjegjësisht të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, tash e dy vjet ky organ nuk ka arritur të themelohet.

Lidhur me themelimin e tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të bisedojnë të martën në Bruksel.

XS
SM
MD
LG