Ndërlidhjet

Seminari, burim i albanologjisë për botën


Pamje nga hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Pamje nga hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është tubimi më i madh dhe më i rëndësishëm i shkencave albanologjike, të cilat janë shumë-dimensionale dhe multi-disiplinare.

Kjo është përmbledhja e vlerësimeve, të cilën studiuesit shqiptarë dhe të huaj të disiplinave të shkencave albanologjike, i kanë dhënë këtij seminari, edicioni i 34 i të cilit aktualisht është duke u mbajtur në Prishtinë.

Që nga themelimi, në vitin 1974, e deri më sot, ky seminar, ka tërhequr vëmendjen dhe ka tubuar nëpër vite qindra studiues shqiptarë dhe të huaj të fushave të albanologjisë dhe ai tashmë konsiderohet institucion më vete.

Profesor doktor Rrahman Paçarizi, drejtor i Seminarit të 34 Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se rëndësia e këtij seminari, që nga themelimi e deri më tash, është shumë dimensionale dhe mund të kundrohet nga disa aspekte.

Aspekti i parë, sipas tij, është përmbledhja apo përqendrimi i rezultateve më të rëndësishme nga fusha e albanologjisë për t’u prezantuar dhe për t’iu nënshtruar debatit shkencor nga një publik shkencor, gjatë ditëve të mbajtjes së seminarit.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:10 0:00

Po ashtu, sipas tij, seminari ka edhe prioritete tjera të rëndësishme.

“Është promovimi i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në botë e posaçërisht, promovimi i shoqërisë së Kosovës, në një kohë, e tash edhe i shtetit të Kosovës, përmes pjesëmarrjes së qindra studentëve të huaj, në secilin nga edicionet”.

“Ata janë shndërruar jo vetëm në ambasadorë, në kuptimin figurativ, por vërtet, një pjesë e tyre janë pjesë e misioneve diplomatike të vendeve të tyre në Kosovë. Një pjesë e tyre janë themelues dhe udhëheqës të degëve të albanologjisë apo studimeve të gjuhës shqipe nëpër universitetet më të rëndësishme evropiane”, thotë Paçarizi.

Cili ka qenë rrugëtimi i këtij Seminari?

Seminari, u themelua në vitin 1974, me emrin “Qendra e gjuhës shqipe për të huaj”. Themelues të tij janë akademikët Idriz Ajeti dhe Rexhep Ismajli.

Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, profesor doktor Sedat Kuçi, thotë se ky seminar, që nga themelimi, nuk e pati rrugën e lehtë deri në ditët e sotme.

Siç thekson ai, gjatë historikut të vet, seminari e ka përjetuar fatin e Kosovës dhe për këtë arsye, ai pati edhe ndërprerje në organizimin dhe zhvillimin e tij.

“Nga themelimi i tij e deri në vitin 1990, seminari u organizua plot 16 herë në Prishtinë, në fakultetin tonë. Ndërsa, në periudhën 1990 e deri në vitin 2000, atëherë kur shteti i Serbisë i mbylli dhunshëm institucionet e arsimit në Kosovë, seminari u organizua dy herë në Tiranë, në vitin 1995 dhe në vitin 1996”.

“Me çlirimin e Kosovës nga Serbia, u krijuan kushtet për kthimin e institucioneve arsimore në objektet e veta. Pra, edhe të vazhdimit të organizimit të seminarit në Prishtinë”, shpjegon Kuçi.

Rikthimi i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në vitin 2000, ishte dukur i zbehtë fillimisht. Kështu e kujton gjatë bisedës me Radion Evropa e Lirë edhe profesor doktor Bardh Rugova, i cili ishte pjesë e organizimit të edicioneve të këtij seminari pas luftës në Kosovë, si dhe në dy vitet e kaluara edhe drejtor i seminarit.

“Unë e mbaj mend, sidomos seminarin e viti 2001. Kanë qenë rreth 35 ose 36 seminaristë, në mesin e të cilëve kishte edhe disa nuse të shqiptarëve nga Gjermania, nga Zvicra, me interesime të kësaj natyre".

"Ne, në atë kohë, sapo kishim dalë edhe vetë nga lufta. Shumëkush kishte edhe prioritete të tjera. Njerëzit nga viset e tjera të botës, albanologë, kishin dilema për sigurinë, për qetësinë, për shumëçka. Por, ishte shumë e rëndësishme që ta rifillonim seminarin, që ta kthenim traditën”, tregon Rugova.

Profesor Rugova shton se seminari gjatë më shumë se një dekade të fundit, ka arritur qëllimin, për të cilin edhe është themeluar: të bëhet shkollë ku mësohet shqipja, të krijojë albanologë, të krijojë kontakte dhe miqësi nëpër botë, si dhe të bëhet një forum shkencor, në të cilin albanologët nga e gjithë bota vijnë dhe i paraqesin rezultatet e tyre.

Në dhjetëvjetëshin e fundit, pothuajse në çdo edicion të seminarit, kanë marrë pjesë mbi 120 albanologë dhe studiues të fushave të ndryshme të interesuar për albanologjinë.

Si e shohin studiuesit e huaj Seminarin?

Robert Austin, studiues i njohur i çështjeve shqiptare nga Kanadaja, thotë për Radion Evropa e lirë se e ka vizituar seminarin për herë të parë, edhe pse në Prishtinë ka qenë edhe më parë.

“Isha me të vërtetë i impresionuar me organizimin dhe njerëzit atje. Me të vërtetë më ka bërë përshtypje, duke marrë pjesë në disa kurse të Gjuhës Shqipe dhe duke i parë njerëzit nga pjesë të ndryshme të botës, e veçanërisht nga Evropa, që kishin gjetur kohë për të ardhur dhe për t’u angazhuar në një përvojë të mësimit të gjuhës shqipe. Këta pjesëmarrës punojnë për ta kuptuar jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën, shoqërinë dhe aspekte të tjera të jetës së shqiptarëve këtu”, tregon përvojën e tij Austin.

Ndërkaq, Maksim Makarcev nga Rusia, ndonëse është studiues në Institutin e sllavistikës në Akademinë e Shkencave të Rusisë, ai ka shfaqur interesim për ta mësuar edhe gjuhën shqipe. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në Prishtinë ka gjetur njerëz mikpritës dhe një shkollë shumë të mirë për albanologjinë.

“Këtu përpiqem të përmirësoj mënyrën, në të cilën e flas gjuhën shqipe dhe bëjmë shumë ushtrime, lexojmë shumë tekste dhe na shpjegojnë jo vetëm gjuhën standarde, por edhe dialektin gegë. Kjo për mua është me shumë rëndësi, sepse unë e njoh vetëm gjuhën standarde dhe disa dialekte të Shqipërisë së jugut. Dialektet gege për mua janë diçka shumë e re”, thotë Makarcev.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pas themelimit të tij ishte bërë një pikë frekuentuese për çdo vit për studiuesit arbëreshë të Italisë.

Zef Chiaramonte tashmë është një nga albanologët e shquar arbëresh të Italisë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se çfarë gjetën arbëreshët në këtë seminar.

“Shumica e këtyre që sot janë në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Itali, kanë dalë nga ky seminar. Edhe unë shkruaj drejtpërdrejt shqip - nuk them si italishten - por e shkruaj mirë shqipen, për hir të këtij seminari”, thekson ai.

Chiaramonte thotë se ky seminar ka luajtur edhe një rol tjetër, përveç të mësuarit e shqipes.

“Ka luajtur edhe një rol politik jo indiferent, sepse edhe ne arbëreshët nuk e dinim që ishte Kosova. Kur na jepnin mësimin e gjeografisë, të gjithë ishin jugosllavë. Nuk e dinim, gjenerata ime, se kishte një krahinë kaq të madhe që e përdorte gjuhën tonë. Kështu që, ka qenë një zbulim për ne".

"Seminari na e zbuloi situatën jo të volitshme të shqiptarëve në Jugosllavi. Kemi bërë edhe komitete dhe kemi bërë edhe protesta. Edhe sot, nuk jemi shumë të kënaqur se si është punë këtu, puna politike”, thotë Chiaramonte.

Por, a mund të thuhet se në edicionin e 34, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka arritur pikën e pjekurisë si një institucion?

Drejtori aktual i këtij seminari, profesor Paçarizi, vlerëson se është vështirë që të thuhet kjo.

“Seminari, vështirë se mund të thuhet se ka arritur pjekurinë e duhur. Ka ndërtuar një traditë solide dhe është një institucion i qëndrueshëm, por për të vazhduar të mbetet i tillë, duhet investuar shumë. Duhet të zhvillohet në hap me trendët shkencor global, të cilët është shumë e vështirë të kapen në ditën e sotme, për shkak të përparimeve teknike dhe teknologjike dhe përparimeve të tjera”, vlerëson ai.

Megjithatë, sipas profesor Paçarizit, seminari e ka arritur qëndrueshmërinë e vet, por siç tha ai, u mbetet edhe institucioneve shtetërore të Kosovës që të sigurojnë infrastrukturën e domosdoshme që shkenca albanologjike të mund të funksionojë krahas shkencës globale dhe e ndërlidhur me të, në mënyrë që rezultatet shkencore të albanologjisë, të mund të konsumohen nga shkenca globale.

XS
SM
MD
LG