Ndërlidhjet

Maqedonia i druhet mbylljes së kufirit nga Hungaria për migrantët


Hungari
Hungari

Në Maqedoni, javën e fundit, nga Greqia mesatarisht hyjnë rreth 3-4 mijë refugjatë në ditë.

Ndërsa, kësaj jave ka pasur ditë që në vend kanë hyrë edhe nga 4,800 refugjatë nga vendet e prekura nga lufta, të cilët në mënyrë të organizuar kalojnë transit përmes Maqedonisë për të arritur në Serbi dhe më pas në ndonjë nga vendet e BE, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësuesi i UNHCR-së në Shkup, Mohamed Arif.

Ai thotë se akoma nuk e ka të qartë vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për bllokimin e kufirit me Greqinë, gjatë muajit të kaluar, për ndalimin e migrantëve, sipas të cilit “duke parë numrin e njerëzve, nuk do të jetë e lehtë të bllokohet kufiri”.

Nëse do të ketë bllokim të kufirit, sipas Arifit, kjo do të shkaktojë vuajtje për këta njerëz.

Megjithatë ai thotë se pas kësaj, autoritetet maqedonase janë mobilizuar mirë për të menaxhuar situatën me refugjatë, duke veçuar ndihmën që vjen nga pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë.

“E para, qeveria me ne duhet të përgatisë një plan dhe njëkohësisht të mendojë se si do të ballafaqohemi me valën e refugjatëve nëse numrat dyfishohen apo trefishohen. E dyta, të shpresojmë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, por nëse mbyllet kufiri dhe njëkohësisht mbeten të bllokuar një numër i caktuar i migrantëve, si do të menaxhohet një situatë e tillë".

"Dhe, e treta, dimri është duke ardhur dhe nëse gjërat shkojnë në drejtim të gabuar, sa jemi të gatshëm të ballafaqohemi me një gjendje të tillë. Këto janë tri çështjet thelbësore që unë dëshiroj t`i vendos në tavolinë, sepse ne duhet të jemi të përgatitur për çfarëdolloj sfide, pra Qeveria maqedonase duhet të jetë e përgatitur për të ndihmuar që këta njerëz të ikur nga lufta të mos vuajnë”, thekson Arif, përfaqësues i UNHCR-së në Shkup.

Ai shton se të gjitha organet e qeverisë, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, duhet të jenë të përgatitur për çfarëdo lloj sfide që mund të paraqitet gjatë ditëve të ftohta, ose një vale më të madhe të refugjatëve dhe në atë rast, të aktivizohet plani i përgatitur paraprakisht.

Ndërkaq, Zhivko Jankullovski, koordinator në nivel kombëtar për menaxhimi e krizave, thotë se Maqedonia, si shtet me të gjitha kapacitetet e saj, është angazhuar për menaxhimin e situatës me refugjatët që vijnë kryesisht nga Siria.

“Po bëjmë përgatitje nëse ballafaqohemi me ardhjen e grupeve më të mëdha të migrantëve nga ana e Greqisë. Gjithashtu bëjmë përgatitje përkatësisht shqyrtojmë të gjitha mundësitë e zhvillimeve pas paralajmërimeve të Hungarisë që me ligj, nga 15 shtatori të ndërpritet hyrja e migrantëve në këtë shtet, e që besoj se kjo do të ishte një zgjidhje e keqe dhe jo korrekte nga ana e Hungarisë si shtet dhe vendeve anëtare të BE-së”.

“Dua të shpresoj se kjo çështje do tëzgjidhet dhe nuk do të vijë deri te ndalesa. Megjithëse, ne përgatitemi edhe për këtë situatë”, ka thënë Jankullovski, gjatë vizitës së kampit të refugjatëve në Gjevgjeli, që është afër me Greqinë ku migrantët pajisen me dokumentacionin përkatës dhe më pas vazhdojnë rrugën për në Serbi.

Përderisa organizatat joqeveritare kanë ndezur alarmin se të gjitha organet kompetente, duhet të përfshihen për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet që disponojnë, ekspertët e sigurisë janë të mendimit se Maqedonia, pos ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian, duhet të kërkojë ndihmë edhe për çështjen e sigurisë së vendit.

Vlladimir Pivovarov,ekspert për çështje sigurie, thotë se është shumë në rregull që BE-ja, organizatat e ndryshme ndërkombëtare, sugjerojnë që t`u ndihmohet këtyre njerëzve, por çështja është askush nuk flet për strukturën e këtyre njerëzve, të cilët vijnë, siç shprehet ai, nga vende që janë ballafaquar me terrorizmin më ekstrem.

“Nëse Hungaria vendos të mbyllë kufirin për refugjatët, atëherë pjesa më e madhe e tyre do të mbeten në Maqedoni dhe Serbi, që do të thotë se brenda natës do të ndryshojë harta demografike e Maqedonisë gjë që mund të shkaktojë probleme serioze për një vend të vogël siç është vendi ynë. Pra, problemi i refugjatëve, pos aspektit humanitar, duhet shikuar edhe në aspektin e sigurisë që me kohë të ndërmerren zgjidhjet adekuate”, thekson Pivovarov.

Ai potencon se pjesa më e madhe refugjatëve në territorin e Maqedonisë futen pa kurrfarë dokumentesh. Pra, problemi është se nuk mund të verifikohet se këta njerëz janë ata, të cilët prezantohen ose dikush tjetër, andaj organet e shtetit duhet të sigurojnë një korridor të sigurt transit.

XS
SM
MD
LG