Ndërlidhjet

Zgjatja e paraburgimeve, shkelje e të drejtave të njeriut


Ilustrim
Ilustrim

Udhëheqës të gjykatave, por edhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, konsiderojnë se të ndaluarve dhe të dyshuarve për fajësi, u bëhet e padrejtë kur u zgjatet paraburgimi më shumë sesa që parashihet me legjislacionin në fuqi.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimet e tyre ku kanë vërejtur arsyetime të dobëta të vendimeve mbi paraburgimet dhe vazhdimet e tyre.

Sipas Kodit të Procedurës Penal “paraburgimi duhet të reduktohet në kohën sa më të shkurtër të mundshme. Kur i pandehuri mbahet në paraburgim, të gjitha organet që marrin pjesë në procedurën penale dhe organet që ofrojnë ndihmën juridike detyrohen të veprojnë me nguti të posaçme”, thuhet në nenin 185 të kodit.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, tha për Radion Evropa e Lirë, se krahas disa mangësive që po e përcjellin sistemin e drejtësisë edhe çështja e zgjatjes së paraburgimeve është një shqetësim.

“Në ketë kontest ne kemi reaguar shumë herë, mirëpo përveç se kemi marrë një përgjigje që po punohet në atë drejtim, nuk ka ndonjë vendim i cili thjesht e eliminon këtë dukuri”, tha Shala.

Shala tha se në rastet kur paraburgimet zgjaten, më së shumti pësojnë personat e privuar nga liria.

“Në radhë të parë, pësojnë personat e privuar nga liria, sikurse ata që kanë probleme me ta, dhe ata të cilët kujdesen për ta (të paraburgosurit). Qendrat e paraburgimit janë të detyruara t’i mbajnë aty përkundër që tejkalohen afatet ligjore për mbajtjen e tyre”, deklaroi Shala.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, konsideron se çështja e paraburgimit në gjithë Kosovën duhet të shikohet në kuptim të asaj që, siç tha ai, ka raste kur vendoset për vazhdim të paraburgimit dhe nuk është i nevojshëm.

Ibrahimi ka ftuar gjyqtarët që të kenë kujdes kur marrin vendime për vazhdimin e paraburgimit.

“Nuk jemi në atë stad që duhet të jemi të kënaqur në raport me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit, po flas tani si gjykatë, nuk po flas për prokurorinë. Me këtë rast, apeloj te gjyqtarët dhe të gjithë ata që janë në zinxhirin e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit, që të kenë një kujdes më të shtuar”.

“Jo gjithmonë arsyetohet paraburgimi, jo gjithherë duhet të caktohet paraburgimi,jo gjithmonë duhet të vazhdohet paraburgimi, kështu që është masa e fundit ajo që caktohet paraburgimi dhe që vazhdohet paraburgimi”, tha Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se personave të paraburgosur në Kosovë në shumë raste me zgjatjen e paraburgimeve u bëhet e padrejtë.

“Prokurorët zakonisht nuk i shfrytëzojnë asnjë prej masave alternative, siç është për shembull arresti shtëpiak, paraqitja në stacionin policor, ose lëshimi në procedurë të rregullt”.

“Por, krejt këto i anashkalojnë dhe kërkojnë që gjithmonë të caktohet paraburgim. Edhe gjykatat të njëjtat arsye që i vendos prokurori aty, e që nuk ka fare arsye, i aprovojnë menjëherë dhe njerëzit i mbajnë në burg kot”, tha Musliu.

Organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, u kanë rekomanduar organeve të drejtësisë që të caktojnë paraburgim vetëm kur rrethanat e rastit e kërkojnë një masë të tillë kufizuese.

Po ashtu, ato kanë sugjeruar që në raste të tilla të japin arsye relevante dhe të mjaftueshme në të gjitha vendimet për caktimin e paraburgimit, në përputhje me ligjin e aplikueshëm vendor dhe ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG