Ndërlidhjet

Grave iraniane u duhet leja e burrit për të drejtat themelore


Niloufar Ardalan
Niloufar Ardalan

Është një botë e meshkujve për Niloufar Ardalanin, njërën prej futbollisteve më të mira të Iranit.

Ajo nuk do të mund të marrë pjesë në një turne në Malajzi, sepse burri i saj ka refuzuar t’i japë lejen për të udhëtuar jashtë shtetit, ashtu siç kërkojnë ligjet islamike në Iran.

Atletja 30-vjeçare është kapitene e ekipit kombëtar të Iranit dhe është dashur të marrë pjesë në Kampionatin e Konfederatës Aziatike në Futboll të Vogël, i cili do të mbahet në qytetin Nilai të Malajzisë nga data 21 deri më 26 shtator.

Në Iran, gratë e martuara duhet të marrin pëlqimin e bashkëshortëve për t’u larguar nga vendi dhe mund të ndalohen nga udhëtimi nëse burrat nuk i nënshkruajnë dokumentet e nevojshme për të marrë ose vazhduar një pasaportë.

Ardalan thotë se burri i saj, gazetar sporti dhe prezantues televiziv, ka përdorur autoritetin e tij për të penguar pjesëmarrjen e saj në garë, sepse ai nuk do që Ardalan të mos jetë e pranishme kur djali i tyre 7 vjeç të nisë ditën e parë të shkollës, më 23 shtator.

Ylli i futbollit thotë se ka trajnuar me javë të tëra për të garuar dhe për ta bërë Iranin krenar.

“Burri nuk më ka dhënë pasaportën time, kështu që nuk mund të marr pjesë në lojëra”, thotë Ardalan në një intervistë për portalin Nasimonline.ir.

Në një tjetër intervistë më 12 shtator, për portalin Shirzanan Global, i cili promovon pjesëmarrjen e grave myslimane në sporte, Ardalan ka thënë se pasaporta e saj ka skaduar dhe se bashkëshorti i saj ka refuzuar të nënshkruajë formularin e nevojshëm për vazhdimin e saj.

Rasti nxjerr në pah ligjet diskriminuese në Iran që favorizojnë burrat, madje edhe në çështjet që lidhen me trashëgiminë, divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve, ndërsa grave u japin statusin e qytetarëve të klasës së dytë.

Burrat iranianë nuk kanë nevojë për leje nga gratë për të udhëtuar jashtë vendit.

“Do të doja që autoritetet të krijojnë masa që u lejojnë atleteve të mbrojnë të drejtat e tyre në situata të tilla”, citohet të ketë thënë Ardalan.

“Këto lojëra kanë qenë shumë të rëndëishme për mua. Si grua myslimane, kam dashur të punoj për ngritjen e flamurit të vendit tim në ato lojëra, dhe jo të udhëtoj për argëtim”, ka thënë Ardalan.

Bashkëshorti i saj, Mehdi Toutounchi, i cili, sipas mediave iraniane, ka qenë mbështetës i futbollit të femrave në të kaluarën, nuk ka bërë ndonjë koment publik.

Shadi Sadr, akiviste për të drejtat e grave në Iran dhe drejtore e grupit “Drejtësi për Iranin” me seli në Londër, thotë se rasti tregon nevojën për ndryshimin e ligjit për udhëtim, i cili, sipas saj, prek dhjetëra-mijëra gra iraniane.

“Kjo tregon se deri në çfarë mase ky ligj mund të ndikojë jetën e një gruaje. Edhe nëse gruaja arrin gradat më të larta në politikë, sport ose kulturë, ajo prapë ka nevojë për pëlqimin e burrit për të drejtën themelore, siç është udhëtimi jashtë vendit”, thotë Sadr në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Rasti i Ardalanit dhe vendimi i saj për të folur publikisht për ndalesën e udhëtimit ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme në mediat sociale, ku shumica kanë kritikuar vendimin e burrit të saj.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG