Ndërlidhjet

Rusia dërgon aeroplanë luftarakë në Siri, shqetësime në SHBA


Aeroplan rus...
Aeroplan rus...

Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ka dërguar aeroplanë luftarakë në Siri, në kuadër të rritjes së forcës së saj ushtarake në këtë vend, duke i shtuar shqetësimet në Uashington për involvim direkt potencial të Moskës në luftën civile në Siri.

Shefat e mbrojtjes të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara të premten biseduan nëpërmjet telefonit për herë të parë për një vit, për konfliktin në Siri.

Ata biseduan derisa vazhdimi i grumbullimit të forcave ushtarake ruse ka ngritur shqetësime për koordinimin e mundshëm në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik (shkurtimisht IS ose ISIL) dhe për konfliktin potencial ndërmjet forcave ruse dhe koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Pentagoni tha se biseda telefonike 50 minutëshe e së premtes, e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter, me ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, përfshinte edhe çështjen e marrëveshjes për bisedime të mëtejshme amerikane-ruse për mbajtjen e tri ushtrive larg nga rruga e njëra-tjetrës.

Bisedimet ushtarake të nivelit të lartë me Moskën ishin ndërprerë nga Pentagoni në vitin 2014, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, nga ana e Rusisë dhe për shkak të intervenimit në pjesën lindore të Ukrainës.

Grumbullimi i forcave ruse në bazën ajrore në Latakia të Sirisë e shton mundësinë e misioneve luftarake simultane ajrore në hapësirën e Sirisë.

Zyrtarët amerikanë i kanë thënë agjencisë Reuters dhe gazetës The Wall Street Journal, se Rusia i ka vendosur së paku katër aeroplanë luftarakë taktikë në një fushë ajrore në portin mesdhetar Latakia në Siri, që është bazë e fuqishme e regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Raporte të tjera thonë se Rusia i ka dërguar së paku katër helikopterë sulmues dhe disa helikopterë transportues në këtë bazë, gjatë 24 orëve të kaluara, duke e forcuar vendosjen e mëparshme të helikopterëve rusë prej 4 shtatorit.

Tri anije sulmuese amfibe të marinës së Rusisë, po ashtu, kanë kaluar nëpër Ngushticën e Bosforit nga Deti i Zi në Detin Mesdhe, gjatë ditëve të fundit.

Këto raporte u paraqitën të njëjtën ditë kur ministrat e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë biseduar për situatën në Siri me telefon, për të parën herë në më tepër se një vit.

Rusia, aleate e afërt e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, në Siri ka dërguar edhe tanke të tipit T-90, artileri të rëndë, raketa kundër ajrore dhe qindra ushtarë.

Ky grumbullim ka shkaktuar shqetësime në Uashington, që thotë se qëllim i Moskës është mbështetja për regjimin e presidentit Assad, e jo për t’i shkaktuar disfatë grupit militant, Shteti Islamik.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha në Londër se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, beson në bisedime direkte “ushtria me ushtrinë” me Moskën dhe konsideron se ato janë “hap i ardhshëm i rëndësishëm”.

Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të fokusuara në “shkatërrimin” e grupit Shteti Islamik dhe inkurajimin e zgjidhjes politike për luftën civile një Siri.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka thënë se Uashingtoni është i hapur për diskutime me Rusinë për bashkëpunim në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, por nëse Moska synon mbështetjen e Assadit, atëherë kjo do të ishte “kundër-produktive”.

“Ne e kemi bërë të qartë se aksionet e ushtrisë së Rusisë brenda Sirisë, nëse ato shfrytëzohen për mbështetjen e regjimit të Assadit, do të ishin destabilizuese dhe kundër-produktive. Kjo mbështetje e regjimit, i cili po e humbë autoritetin, në shumë raste, e ka vetëm efektin e sjelljes së më shumë shtetasve sirianë nën armët e ekstremistëve”, tha Josh Earnest.

Minstri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më herët këtë javë i ka sugjeruar zotit Kerry se do të duhej të kishte bisedime direkte ushtarake për koordinimin e aksioneve në Siri.

Në këtë aspekt, zëdhënësi amerikan, Josh Earnest, ka thënë:

“Ne do ta mirëpresim kontributin konstruktiv nga Rusia për koalicionin kundër ISIL-it. Pra, kjo është arsyeja se përse ne mbesim të hapur për diskutime taktike dhe praktike me rusët me qëllim të zgjerimit të mëtejshëm të koalicionit kundër ISIL-it dhe për të siguruar udhëheqje të sigurt të operacioneve të koalicionit”, tha Josh Earnest, sipas të cilit, “tash për tash, nuk ka zgjidhje ushtarake të trazirave, që e kanë goditur rëndë Sirinë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG