Ndërlidhjet

Pabarazi në mes bizneseve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Mospajisja e të gjitha bizneseve në Kosovë me aparate elektronike fiskale, po krijon ekonomi joformale, thonë përfaqësues të cilët mbrojnë interesat e bizneseve dhe pronarë të kompanive në vend.

Në mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, deri në shtator të këtij viti, sipas Administratës Tatimore të Kosovës, numri i bizneseve të fiskalizuara është 22,506, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 29,044.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se vetë fakti se shumë biznese nuk janë pajisur me arka fiskale tregon se në Kosovë është krijuar pabarazi në tregun kosovar.

“I tërë procesi i fiskalizimit nuk ka filluar si duhet meqë arkat fiskale që në fillim kanë qenë të shtrenjta dhe si të tilla kanë dekurajuar një pjesë të madhe të bizneseve që të instalojnë arkat që në ditët e para".

"Ka pasur një mundësi më të mirë në atë kohë që Ministria e Financave përmes Administratës Tatimorë të Kosovës të gjejë mënyra për të subvencionuar apo mbështet bizneset në instalimin më të shpejtë të arkave fiskale”, ka theksuar Zeka.

Zeka kërkon nga autoritetet kompetente që të ndërmarrin masa konkrete konform ligjit në mënyrë që të gjitha bizneset të jenë të pajisura me arka fiskale dhe të mundësohet mbledhja e më shumë të hyrave për arkën e shtetit.

“Autoritetet kompetente duhet të punojnë më shumë në drejtim të fiskalizmit të të gjitha bizneseve, situata aktuale që është tani po sjell pabarazi në treg dhe trajtim jo të njëjtë të bizneseve dhe mundëson përhapjen e ekonomisë joformale në tregun tonë”, vlerëson Zeka.

Vendosja e arkave fiskale, nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte bërë me qëllim të shmangies së evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në dyqan.

Sipas ATK-së, shikuar nga këndvështrimi i parimeve të riskut, Administrata Tatimore me rastin e fiskalizimit ka realizuar objektivat, ka mbuluar atë segment të subjekteve që marrin pjesë në total me mbi 95 për qind të bruto qarkullimit vjetor të përgjithshëm në Kosovë, apo që marrin pjesë në rreth 90 për qind të të gjitha të hyrave të deklaruara dhe paguara nga tatimet.

Sidoqoftë, për drejtorin e kompanisë ”Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, me arka fiskale duhet të pajisen të gjitha bizneset.

“Mospajisja e bizneseve me arkën fiskale i bënë dy dëme, se pari buxhetin e Kosovës nuk e mbush më atë të hyra që qytetarët e kanë pagur gjatë blerjes, pra Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka ngecur në xhepin e tregtarit, apo një shërbyesi, kurse ne që i kemi arkat fiskale, të gjitha taksat (TVSH-në), që i ka paguar konsumatori përfundojnë në arkën e shtetit”, ka thënë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Me rastin e mospajisjes të të gjitha bizneseve në Kosovë me aparate elektronike, edhe sipas Kelmendit, po krijohet pabarazi në treg.

“Qeveria duhet shumë shpejt të sjellë një udhëzim administrativ në funksion të zbatimit të ligjit për arkat fiskale në mënyrë që të gjithë akterët ekonomik të jenë të pajisur me arka, që të kemi një ekonomi të drejtë me informalitet të vogël dhe buxheti i Kosovës të mbushet me tatime reale”, thekson Kelmendi.

Vlera e gjobës për mospërdorim të pajisjeve elektronike fiskale nga bizneset, sipas ligjit është 1000 euro.

Ndryshe, me qëllim të përshpejtimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve, udhëheqës të Ministrisë së Financave kanë ftuar qytetarët që për çdo shërbim të pajisen me kuponë fiskal, pasi mund të kthehet një përqindje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

XS
SM
MD
LG