Ndërlidhjet

Tiranë: Debate të ashpra për çështjen “CEZ”


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të enjten nisjen e një hetimi ndërkombëtar për "CEZ", një konglomerat kompanish kryesisht nga Republika Çeke që tregton më energjinë elektrike.

Çështja "CEZ" ka ditë që ka nisur dhe ka përfshirë emrat më të lartë të shtetit shqiptar. Partia Demokratike kërkon hetim ndërkombëtar për çështjen, dhe akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, si të përfshirë në aferën e CEZ-it, por ky propozim nuk është pranuar nga shumica parlamentare.

Çështja nuk hyri në rendin e ditës, mbasi shumica në Konferencën e Kryetarëve ka pretenduar se nuk ka bazë ligjore për procedurë të përshpejtuar për këtë propozim.

Seanca e sotme është shoqëruar me akuza e kundërakuza të ashpra mes deputetëve të të dy palëve.

Dosja "CEZ"

"CEZ" është një kompani e madhe çeke, e cila në shumë vende të Ballkanit ka arritur të fitojë kontrata në fushën e energjisë dhe të privatizojë pjesë nga këto sektorë strategjikë.

Në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha bëri një marrëveshje me qeverinë çeke për të shitur ndërmarrjen shtetërore të shpërndarjes së energjisë, OSSH.

Në atë kohë, Qeveria e Pragës mbante presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe kishte mundësinë e vendosjes në axhendë të BE-së për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Më 11 mars 2009, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Genc Ruli, firmosi kontratën me kompaninë CEZ për t’i shitur 76% të aksioneve shtetërore për një vlerë prej 102 milionë eurosh.

Kjo kontratë u kundërshtua fuqishëm nga opozita e asaj kohe, Partia Socialiste, e cila theksoi se OSSH është shitur lirë për arsye se qeveria ka vepruar në mënyrë klienteliste.

"CEZ" qëndroi në Shqipëri për 3 vjet pasi nuk bëri asnjë investim, por vetëm vazhdoi serinë e kontratave amorfe ndërsa nuk arriti të zgjidhë problemin e atyre që nuk paguajnë.

Para zgjedhjeve të vitit 2013, zoti Berisha dhe qeveria e tij nisën sulmin ndaj kompanisë "CEZ" që e kishin sjellë vetë në Shqipëri.

Qeveria detyroi Entin Rregullator të Energjisë që t’i heqë liçencën "CEZ"-Shpërndarjes në mënyrë të njëanshme.

Kompania çeke deklaroi se kjo është sjellje e padrejtë dhe ajo do ta hidhte çështjen në arbitrazh ku kërkoi një shumë marramendëse parash si dëmshpërblim.

Sali Berisha humbi zgjedhjet në qershor të vitit 2013 dhe qeveria që erdhi, duhej të ndiqte cështjen. Ministri i Energjisë në qeverinë Rama, Damian Gjiknuri, deklaroi se barrën e rëndë të "CEZ" do ta zgjidhnin me negociata, pasi një humbje në arbitrazh do të ishte katastrofike për arkën bosh të qeverisë dhe nuk mund të merrej mbështetje nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Më 24 qershor 2014, pas negociatave u arrit që CEZ të heqë dorë nga pronësia e Operatorti të Shpërndarjes së Energjisë dhe nga abritrazhi ndërkombëtar.

Si shkëmbim u ra dakord që shteti shqiptar t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste, duke filluar nga shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro mbi principalin e dakordësuar.

Pas një periudhe heshtjeje, publikohet një dokument, ku pretendohet se disa nga udhëheqësit e kompanisë çeke në Shqipëri janë organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve, e cila i kushtoi kompanisë miliona euro. Prapa kësaj skeme emëroheshin edhe personalitete politike.

Për hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe përfshirja e prokurorëve amerikanë, por ambasada amerikanë në Tiranë është përgjigjur se kjo çështje i takon drejtësisë shqiptare.

Çështja nuk është mbyllur ende.

XS
SM
MD
LG