Ndërlidhjet

VOX: Studentët kërkojnë afate shtesë të provimeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Tri afate të provimeve për studentët në Universitetin e Prishtinës, nga disa studentë po konsiderohen të pakta. Ata po kërkojnë që të jenë minimumi edhe dy afate tjera, të cilat do t’iu mundësonin të fitonin kushtin për të kaluar në vitin vijues.

Kjo ka qenë njëra nga arsyet që disa studentë të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar disa herë gjatë kësaj jave.

Në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa prej tyre flasin për arsyet e kërkesave që kanë.

Një student i Fakultetit Ekonomik thotë se tri afatet e provimeve, ashtu siç parasheh statuti i UP-së, nuk po janë të mjaftueshme për të përfunduar provimet me nota të larta.

“Më shumë afate do të na mundësonin që t’i rrisim notat. Po kemi shume ligjërata, shumë mësime dhe nuk po arrijmë që me tri afte të dalim të suksesshëm apo të përgatitemi mirë për provime. Për këtë po na duhen më shumë afate të provimeve, të cilat do të na jepnin edhe kohë të mësojmë më shumë”, shprehet ai.

Një student i Fakultetit të Mjekësisë i cili dëshiroi të mbetet anonim, konsideron se edhe kërkesa për shumë afate nuk është në rregull:

“Mendoj që afatet e provimeve, siç është afati shtesë, jo për kusht, duhet të ekzistojë pasi që ka shumë provime në disa fakultete, po ashtu janë disa fakultete që janë më të vështira. Mirëpo, jo edhe afate të provimeve pa kontroll, siç po kërkojnë afate të provimeve kurdo që dëshirojnë, ashtu nuk ka sens”.

Studentët, në përgjithësi, po kërkojnë që të ketë afat të tetorit, që ata të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe i njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Po ashtu, disa studentë po kërkojnë të kthehen afatet e absolventëve në të gjitha njësitë akademike.

Për Kaltrina Limollin, studente në Fakultetin Ekonomik, tri afate nuk janë të mjaftueshme për të fituar kushtin.

“Po dëshirojmë edhe një afat, së paku atë të tetorit, që të mund ta zëmë kushtin”, shprehet shkurt Kaltrina.

Megjithatë, ka edhe studentë, për të cilët janë të mjaftueshme edhe tri afate të provimeve.

Lirjana Hoxha është studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo mendon se fakultetet duhet t’i ndjekin praktikat e universiteteve evropiane, ku edhe atje nuk ka më shumë se tri afate të provimeve.

“Unë e përkrah vendimin e rektorit, po më pëlqen që me minus një provim të kalojmë në vitin vijues. Për arsye se edhe nëse i japim minus shtatë provimeve, ne prapë nuk kalojmë në vitin e dytë, edhe ashtu poai dhënë të gjitha provimet, nuk mund të fillosh vitin e dytë”, thekson Lirjana.

Fat Joniqi, student në vitin e dytë në Fakultetin e Juridik, thotë se tri afate mund të jenë të pakta për studentët, që studiojnë në fakultetet, të cilat konsiderohen se janë më të vështira, siç është Fakulteti Teknik.

“Duke marrë parasysh që në Evropë, gjithkund janë tri afate, edhe këtu në Kosovë është dashur të jetë ashtu, por ka disa fakultete që janë më të vështira dhe duhet që këto dy afate të jashtëzakonshme të jenë dhe kushtin ta bëjnë ashtu si ka qenë, me minus tri provime të kalohet në vitin vijues”, thotë Fati.

Studentët, po kërkojnë që kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/2015, niveli Bachelor, të jetë 70 për qind të kredive ose të provimeve dhe kriteri i arritjes së kushtit për nivel Master të jetë 50 për qind të kredive ose provimeve.

Studenti Laurat Gonjovi konsideron se me shtimin e afateve, nuk do të humbet cilësia në arsim.

“Në krahasim me numrin e provime që duhet t’i japim, tri afte nuk mjaftojnë. Në Universitetin e Prishtinës po thonë se tri afate janë për shkak të cilësisë së arsimit, por unë mendoj se cilësia në arsim nuk përmirësohet duke shkurtuar afatet e provimeve. Do të ishte në rregull nëse shtojnë lëndë mësimore, por jo të zvogëlojnë numrin e afateve të provimeve”, thotë ai.

Sipas statutit të Universitetit të Prishtinës, afatet e provimeve përfshijnë afatin e dimrit (janarit), pranverës (qershorit) dhe vjeshtës (shtatorit). Periudha e saktë për çdo afat është e përcaktuar me kalendarin e përgjithshëm të studimeve, i cili është i pranuar nga Senati dhe i hapur për publikun.

Oraret e afateve të provimeve, ku janë të përfshira oraret ditore, shpallen në fillim të vitit akademik. Po ashtu, oraret e provimeve, thuhet në statut, do të përcaktohen në atë mënyrë që studenti të mos ketë më shumë se një provim në ditë.

Oraret e provimeve, pasi të jenë shpallur, janë detyruese, si për pyetësin ashtu edhe për studentin.

XS
SM
MD
LG