Ndërlidhjet

Sa ka investuar KEDS-i pas privatizimit?


Termocentrali Kosova A, Obiliq
Termocentrali Kosova A, Obiliq

Konsorciumi turk “Çalik-Limak”, i cili që nga viti 2013 ka marrë nën menaxhim Distribucionin e Furnizimit me Energji Elektrike,(KEDS), kishte premtuar investime në rrjet, furnizim stabil të energjisë elektrike dhe zvogëlim të humbjeve komerciale dhe teknike.

Përfaqësues të kësaj kompanie pohojnë investimet e realizuara, po përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se nuk ka arritur nivelin e investimeve kapitale të lejuara, përderisa mekanizma monitorues pohojnë se KEDS-i është në rrugë të mirë të investimeve.

Ky konsorcium, që distribucionin e ka blerë për 26.3 milionë euro, kishte premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë eurosh për distribuimin e energjisë elektrike.
Po ashtu, kompania ishte zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë do të mbrojë të drejtat e punëtorëve.

Gjithashtu, punëtorëve u është siguruar kontrata trevjeçare

Por, a ka arritur KEDS nivelin e investimeve kapitale të lejuara?

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë kompani, për Rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, thotë se deri më tash KEDS ka investuar mbi 55 milionë euro dhe kjo shifër po rritet nga viti në vit.

Ai ka treguar se në vitin 2013 janë investuar 16 milionë euro, vitin e kaluar 18.5 milionë, ndërsa sivjet janë kontraktuar vetëm deri tash 22.1 milionë euro dhe kjo shifër, sipas tij, pritet të rritet.

“Kontrata specifikon që të investohet në përmirësim të rrjetit. KEDS-i është dukë e bërë këtë çdo ditë. Qindra projekte janë përfunduar dhe shumë prej tyre janë në implementim e sipër. Ne bëmë investime në të gjithë Kosovën. Mund të thuhet se nuk ka komunë ku nuk kemi investuar pas privatizimit”, thotë Buzhala.

Ai shton se prioritete të investimeve janë rritja e kualitetit të shërbimeve energjetike për konsumatorët, ofrimi i tensionit dhe frekuencës stabile, rënia e ndërprerjeve dhe humbjeve energjetike.

“Në të gjitha këto segmente, ka pasur përmirësime të dukshme. Dhjetëra mijë konsumatorë kanë shërbime më të mira dhe më të sigurta, qindra lokalitete kanë tension stabil, përderisa niveli i humbjeve është ulur”.

“Pra, KEDS dhe pronarët e tij janë të zotuar që ta përmbushin premtimin dhe fillimi i përmbushjes së tij është parë menjëherë në praktikë”, thekson Buzhala.

Gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet autoriteteve kompetente dhe kompanisë fituese, është thënë se investimet do të bëhen në koordinim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, që njihet me shkurtesën ZRRE.
Roli i ZRRE-së, është i përcaktuar në bazë të ligjeve në fuqi, pa marrë parasysh ndryshimin e pronarëve të operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe furnizuesit publik me energji elektrike

Kjo zyre është duke kryer monitorimin e investimeve dhe performancën teknike dhe komerciale jo vetëm të KEDS-it, por edhe të ndërmarrjeve të tjera energjetike, siç janë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut ( KOSTT), në baza të rregullta, ashtu siç është e përcaktuar në legjislacionin primar dhe sekondar.

Adelina Murtezaj, zëdhënëse në ZRRE, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga privatizimi i këtij distribucioni, e deri më tash, investimet kanë arritur në më shumë se 50 milionë euro.

“Të gjitha këto investime, të cilat janë realizuar deri më tani, kanë për qëllim rehabilitimin dhe modernizimin e matjes së energjisë elektrike, eliminimin, zëvendësimin e linjave distributive ajrore me rrezikshmëri për publikun, sigurimin e qëndrueshmërisë dhe kualitetit në furnizimin me energji elektrike, mbështetje të rritjes së ngarkesës, si dhe zvogëlimin e humbjeve të energjisë elektrike”, thotë Murtezaj.

Sipas saj, investimet e realizuara deri më tani, kanë ndikuar në zvogëlimin e humbjeve të energjisë.

“Në dy vjetët e parë pas privatizimit, humbjet janë zvogëluar për më shumë se 5pikë përqindje dhe ato pritet të zvogëlohen edhe më tutje kur kemi parasysh që ZRRE-ja ka vendosur caqe për zvogëlimin e humbjeve”.

“Siç dihet, realizimi i investimeve qind për qind nga ajo që është e aprovuar/planifikuar varet shumë nga natyra e investimit dhe me specifikat që kompania mund të ballafaqohet gjatë realizimit të investimeve dhe lejeve që nganjëherë mund të shkaktojnë vonesa. Sidoqoftë, KEDS është në rrugë të mbarë të realizimit të investimeve sipas planit të paraparë të investimeve”, shpjegon ajo.

Por, ndryshe thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), vazhdimisht është marrë me çështje energjetike, madje edhe ka kundërshtuar privatizimin, me çmim, siç thonë, shumë të ulët.

Kushtrim Puka, nga ky KOSID-i, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se KEDS-i ka dështuar në realizimin e investimeve të lejuara.

Ai, madje, thotë se edhe për investimet e deritashme, kompania në fjalë nuk i ka bërë publike projektet dhe shumën e shpenzuar.

Ndryshe nga ZRRE-ja, Kushtrim Puka, konsideron se KEDS-i nuk e ka investuar shumën e nevojshme për zvogëlimin e humbjeve komerciale dhe teknike, ç’gjë, sipas tij, paraqitet qëllim kryesor i kompanisë.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ato janë zvogëluar shumë pak dhe ato nuk arrijnë normën e paraparë. Do të thotë ata ( KEDS) kanë pasur të lejuara 25 për qind, të cilat nuk kanë arritur t’i realizojnë, do të thotë së bashku humbjet teknike dhe komerciale. Vetë këta indikatorë ngrenë dyshime se ku po shkojnë investimet e kompanisë ‘Çalik- Limak’ ”, shprehet Puka.

Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, thotë Puka, raportet vjetore, konkretisht raporti i vitit të kaluar i kësaj zyre tregon se KEDS-i nuk i ka përmbush investimet e lejuara.

“Në raportin vjetor për vitin 2014 sipas planit investiv, KEDSështë dashur të investojë 21.2 milionë euro, kurse ka investuar 17.9 milionë euro apo 85 për qind të kostove të përgjithshme kapitale”, shton Puka.

Sidoqoftë, në raportin vjetor për vitin e kaluar të Zyrës së Rregullatorit të Energji, thuhet se viteve të fundit energjia e faturuar dhe arkëtuar ka pasur rritje.

Energjia e faturuar për vitin 2014 ka arritur 259.8 milionë euro, ndërsa arkëtimi 248.4 milionë euro. Në këto vlera përfshihet edhe TVSH-ja.

XS
SM
MD
LG