Ndërlidhjet

“Lëshime” në menaxhimin e sigurisë gjatë protestave


18 nëntor
18 nëntor

Përplasjet ndërmjet protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në protestat e fundit të organizuara nga opozita në Kosovë, kanë shpërfaqur kapacitetet e limituara teknike dhe njerëzore të organeve të rendit për tu marrë me menaxhimin e protestave, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve të sigurisë në vend.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se kanë përdorur mjete të ligjshme ndaj protestuesve, ndonëse jo rrallë një numër i madh i qytetarëve, që nuk kanë qenë pjesë e protestës, janë gjetur ndërmjet përplasjes së dy palëve, protestuesve dhe pjesëtarëve të policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo polici, në kuadër të planifikimeve të saj operacionale, me kohë i merr masat e saj policore, për të menaxhuar protestën.

“Policia, në rastin e protestave ka përdorur mjetet e saj të ligjshme për të vënë situatën nën kontroll edhe përkundër një dhunë të shfaqur nga ana e protestuesve me mjete të ndryshme, deri te mjetet e rrezikshme vdekjeprurëse, që ka qenë një forcë joproporcionale në aspektin e dhunës që e kanë përdorur protestuesit ndaj policisë”.

Skënder Perteshi, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pajtohet se Policia e Kosovës ka përdorur mjetet e ligjshme, por edhe forcën në përputhje me kërcënimin që është shfaqur nga ana e protestuesve.

Megjithatë, sipas tij, gjatë menaxhimit të protestës nga policia, janë vërejtur edhe lëshime që ndërlidhen me sigurinë e qytetarëve.

“Ka raste që gazi lotsjellës është vendosur edhe vende ku nuk kanë qenë protestuesit, për shembull në kafeteri dhe restorante të ndryshme. Por, mendoj se kjo është bërë, në përgjithësi, ndoshta prej ngutjes për ta menaxhuar sa më mirë turmën dhe ndoshta prej ngutjes që sa më pak të shkaktohen dëme nga protestuesit te publiku”.

Por, zëdhënësi i policisë, Kelani, thekson që policia ka planifikuar përballjen me çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren, përfshirë këtu menaxhimin me protestën, si dhe caktimin e zyrtarëve për riorientim të trafikut, si dhe për parandalimin e qytetarëve jo pjesëmarrës në protestë që të bëhen padashur pjesë e protestës ku përdoret dhuna.

“Ne, çdo herë, paraprakisht, në bazë të lëvizjes së protestuesve, bëjmë edhe bllokimin e rrugëve për shkaqe të sigurisë të dy palëve edhe të protestuesve, që të mos bien ndesh me qytetarë. Por, qëllimi primar është që t’i ndalojmë qytetarët që të mos futen në situata të tilla. Do të thotë bëjmë bllokimin e rrugëve, në mënyrë që t’i parandalojmë dhe t’i sigurojmë qytetarët, mu për këtë qëllim”, tha Kelani.

Në anën tjetër, analisti Perteshi thekson se gjatë protestës së dhunshme ka pasur edhe raste kur pjesëtarë të caktuar të Policisë së Kosovës kanë përdorur dhunë të tepruar dhe jo rrallë qytetarët tjerë, që nuk kanë qenë pjesë e protestës, janë gjetur ndërmjet, siç i quan ai, “dy zjarreve”.

“Ka disa raste që Policia e Kosovës i ka tejkaluar autorizimet policore në përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve. Sidomos ka raste, për shembull si ai me disa studentë, kur në mungesë të informacioneve se kush me të vërtetë është i përfshirë në protestë, kanë përdorur dhunë edhe ndaj qytetarëve, kalimtarë të rastit”, tha Perteshi.

Kelani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përballjes së pjesëtarëve të policisë me protestuesit.

Por, megjithatë, ai thekson se ndaj qytetarëve jopjesëmarrës në protesta të dhunshme, policia tregohet e kujdesshme.

“Është e vështirë që të eliminohen të gjitha detajet, por ne mundohemi që në çdo rast, edhe kur ata në raste të caktuara mund të përfshihen pa dashjen e tyre, tu ofrojmë ndihmën tonë dhe njëherësh t’i riorientojmë në lokacionet tjera, ku nuk ka zhvillim të protestës”, theksoi Kelani.

Analisti Perteshi, ka theksuar se, megjithatë, gjatë kohës sa kanë zgjatur protestat e fundit, është shpërfaqur mungesë koordinimi e organeve të rendit për menaxhimin e protestave, si dhe në raste të caktuara, siç ka thënë ai, policia kanë tejkaluar autorizimin në përdorimin e forcës, sidomos ndaj qytetarëve që kanë rastisur në përballjen e policisë me protestuesit e dhunshëm.

Sipas tij, qytetarët duhet tu drejtohen organeve kompetente për t’i denoncuar në Drejtorinë e standardeve profesionale, në Inspektoratin policor, si dhe tek Avokati i Popullit, rastet e tejkalimit të autorizimeve nga ana e pjesëtarëve të caktuar të policisë.

Në anën tjetër, sipas tij, Policia e Kosovës duhet ta bëjë vlerësimin e nivelit të realizimit të detyrave të pjesëtarëve të saj, si dhe vërejtjet e mundshme që vijnë në adresë të policisë, në mënyrë që të përparojë menaxhimin e situatave ne protestat eventuale në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG