Ndërlidhjet

Rreth 11 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta, shkollohen


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Ndonëse Kosova nuk ka statistika të sakta se sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta, sfidë për këta fëmijë mbetet qasja e tyre në shkollim.

Sipas disa hulumtimeve të bëra në Kosovë, thuhet se vetëm 11 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta vijojnë mësimin.

Kështu thotë udhëheqësi i organziatës "Hendikos", Afrim Maliqi, sipas të cilit, ky fakt është mjaft shqetësues.

"Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor, është një numër i vogël dhe shqetësues. Këtu nuk hyn vetëm faktori i infrastrukturës fizike".

"Duhet marrë parasysh që edhe mirëqenia e familjeve është jashtëzakonisht e varfër dhe nuk kanë mundësi të dërgojnë fëmijët në shkollë. Transporti është shumë i papërshtashëm, e shumë faktorë të tjerë."

"Gjithashtu, çështja shëndetësore, rehabilitimi, paisjet e përshtatshme për ta, është një zingjir që e vështirëson përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor", tha Maliqi.

Ndërkaq, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve "KOMF", ka thënë se ndonëse çasja e fëmijëve me nevoja të veçanta është e përfshirë brenda legjislacionit, ekziston mungesa e vullnetit institutcional në planifikimin buxhetor, për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me gjithpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.

"Kryesisht, prioritetet orientohen në projekte kapitale ndërsa për sistemin mbështetës, asistentët për këta fëmijë të regjistruar në sistemin e rregullt, si dhe transporti, nuk janë përcaktuar dhe nuk janë zotuar fondet e nevojshme".

"Kemi mungesë të mësuesve udhëtues, por edhe asistentëve të cilët duhet të jenë në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara", tha Kelmendi.

Kelmendi shton se institutcionet relavante duhet të fokusohen më shumë në cilësinë e arsimit për fëmijët me nevoja të veçanta, pasi që siç thotë ajo, kjo është përmendur edhe në kuadër të Raportit të Progresit për Kosovën për këtë vit.

"Si rekomandim i yni është që Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe komunat, duhet të fokusohen më shumë në përfshirjen e gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor".

"Duhet gjithashtu të investojnë në rritjen e cilësisë së arsimit gjithpërfshirës, përmes rritjes së kuadrit organizativ dhe profesional, përcaktimit të kodit buxhetor te asistentët e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin e arsimit, rritjen e numrit të mësimdhënësve udhëtues dhe rritjen e cilësisë së arsimit për këta fëmijë.

Për përfshirjen në sistemin arsimor të fëmijëve me nevoja të veçanta, Aziz Nishori, sekretar i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, thekson mungesën e asistentëve në klasa, ku ndërlidhet edhe cilësia e arsimimit.

"Sa i përket arsimimit të fëmijëve janë disa qendra burimore, por ka edhe paralele të bashkangjitura në sistem të rregult, por këtu ka ngecje pasi nuk ka kategorizim dhe has në pengesa. Pastaj është çasja fizike, pasi ka shumë shkolla që ende nuk i kanë të eliminuara barierat fizike".

"Mungesa e asistentëve është evidente. Një paralele e bashkangjitur duhet t'i ketë 6 nxënës me mësues dhe asistentë. Tek ne ndodhë që janë deri në 27 nxënës me aftësi të kufizuara në një klasë dhe mësojnë me një mësuese dhe nuk kanë asistentë", tha Nishori.

Sidoqoftë, respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë në përgjithësi, nuk është në nivel të kënaqshëm, thonë zyrtarë që merren me këtë problematikë.

Sipas tyre, edhe pse është punuar në hartimin e ligjeve për të drejtat e fëmijëve, ato nuk po zbatohen në tërësi.

XS
SM
MD
LG