Ndërlidhjet

Studim: Burrat më të korruptuar se gratë


Ilustrim
Ilustrim

Legjislacioni në Kosovë në masën më të madhe ofron mbështetjen e nevojshme për të luftuar korrupsionin, por kjo nuk po ndodhë, kanë deklaruar të hënën përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare derisa kanë folur në konferencën me titull "A ka korrupsioni gjini; parandalimi dhe luftimi i korrupsionit nga perspektiva e gruas".

Alessandra Rocssalvo nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim [UNDP], tha se nga hulumtimet e bëra, kuptohet se gjinia mashkullore në Kosovë, konsiderohet se është me e korruptuar sesa ajo femërore.

“Meshkujt janë me të guximshëm dhe për ketë arsye kanë qasje më shumë në dukuritë e korrupsionit dhe sigurisht që besojnë më shumë në veten e tyre. Në anën tjetër, femrat janë më të sinqerta në këtë drejtim dhe nuk e di a vlen kjo edhe në lëmitë e tjera”, tha Rocssalvo.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se korrupsioni në Kosovë më shumë i takon gjinisë mashkullore dhe se sipas tij më shumë korruptohen të moshuarit sesa të rinjtë.

“Nga numri i zyrtarëve kundër të cilëve kemi ushtruar kallëzime penale dhe ky numër është më i lartë se 1300, e që janë zyrtarë të niveleve të ndryshme prej zëvendëskryeministrave, ministrave, drejtorëve, udhëheqësve të ndërmarrjeve publike, udhëheqës të institucioneve të pavarura, vetëm 9% janë femra. Në mesin e këtyre femrave, vetëm dy raste nga to kanë poste menxhuese”, tha Preteni.

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë vazhdon të mbetet një nder sfidat më të mëdha me të cilën përballet Kosova.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, nuk përjashton mundësinë e rasteve korruptive në sistemin e drejtësisë, por konsideron se gjinia femërore është më pak e atakuar me këtë dukuri.

“Prej rasteve që kemi pasur gjatë punës tonë në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përjashtohet mundësia që kemi pasur edhe femra. Ka femra që janë përjashtuar apo janë shkarkuar për shkak të sjelljeve të pahijshme që kanë rënë ndesh me ligjin pikërisht për shkak të dyshimeve se ka pasur korrupsion në punën e tyre".

"Një statistikë shumë e prerë në kuptimin e pjesëmarrjes së femrës në korrupsion në gjyqësor nuk e kemi, mendoj se ndoshta pak më shumë mbizotërojnë burrat”, tha Peci.

Përfaqësues nga organizatat joqeveritare në Kosovës thonë se Kosova është futur thellë në korrupsion dhe nuk ka indikacione që institucionet kompetente po ndërmarrin masa për të luftuar këtë dukuri negative.

Në konferencën e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Instituti Demokratik Kombëtar, u tha se nëse gjinia femërore është më pak e korruptuar sesa gjinia mashkullore, ajo duhet të ndihmojë në luftën kundër kësaj dukurie.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi, tha se gratë në Kosovë në përgjithësi janë më pak të korruptuara për faktin se, siç u shpreh ajo, ato kanë më pak qasje në vendimmarrje dhe janë më të ndjeshme e të sinqerta në punën që bëjnë.

Deputetja Kajtazi që i takon partisë politike Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se gratë deputete të Kuvendit, janë ato të cilat më së shumti ngrehin zërin ndaj kësaj dukurie negative.

“Folësit me të mëdhenj që kanë ngritur problemin për aniti-korrupsion kanë qenë femrat. Kjo është një dëshmi për shkak të sinqeritetit që ato e kanë apo format e tjera që ato kanë për të luftuar korrupsionin".

"Se sa do të kishin mundur të jenë rezistente ndaj korrupsionit femrat po të kishin pozitat ekzekutive, do të kishim mundur të flasim vetëm atëherë kur ato do të ishin aty”, tha Kajtazi.

Mosveprimi i fuqishëm kundër korrupsionit, po e rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve, kanë thënë përfaqësues të organizatave dhe agjencive që kanë për synim luftën kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG