Ndërlidhjet

Ngritet aktakuzë për zyrtarët dhe ish-anëtarët e bordit të AKP-së


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka ngritur sot aktakuzën ndaj tetë personave të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, veprën penale “Mashtrimi” dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Përmes një kumtese të lëshuar, prokuroria ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj N.O., B.SH., Sh.LL., N.A., M.Y., A.K., A.K. dhe A.D.

Prokuroria pretendon se më 20 janar të vitit 2012, i pandehuri N.O., në cilësinë e nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe i pandehuri B.SH. në cilësinë e drejtorit të Bordit Drejtues të AKP-së, në bashkëkryerje dhe bashkëpunim me personat e tjerë zyrtarë në cilësinë e anëtarëve ndërkombëtar të BD të AKP-së, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Prokuroria pretendon se kjo është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht blerësin e Ndërmarrjes së Re "FAN-Podujevë", sh.p.k, në vlerë rreth 5 milionë e 400 mijë eurosh. Me këto veprime, sipas prokurorisë, të pandehurit i kanë shkelur seriozisht të drejtat e punëtorëve të Ndërmarrjes së Re "FAN ", i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Në kundërshtim me rregullat e AKP-së, më 20 janar, sipas prokurorisë, gjatë mbledhjes së Bordit të AKP-së, të pranishmit kanë “vendosur duke votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime dhe kanë liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve”

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore nga qershori i vitit 2008 e deri më 20.01.2012, në cilësinë e personave zyrtar, Sh.LL. në cilësinë e drejtorit menaxhues të AKP-së, N.A në cilësinë e zv/drejtorit menaxhues të AKP-së, ndërsa M.Y., A.K. dhe A.K., në cilësinë e kryesuesit të Njësisë së Monitorimit në AKP, "nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, përkatësisht nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim, lidhur me obligimet kontraktuale, nuk kanë ndërmarr asnjë masë ligjore parandaluese në lidhje me ruajtjen e pronës së AKP-së, sa i përket çështjes së vendosjes në hipotekë apo kolateral të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë” gjatë periudhës së zotimit, etj”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga marsi i 2006-tes e deri më 20 janar 2012, i pandehuri A.D., si blerës i ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, i ka paraqitur në mënyrë të rrejshme investimet në ndërmarrjen e privatizuar.

“Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në komunikatë.

XS
SM
MD
LG