Ndërlidhjet

Bankat komerciale, të besueshme dhe stabile


Ilustrim
Ilustrim

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, pothuajse është sektori i vetëm që për çdo vit rezulton me performancë të qëndrueshme dhe stabile.

Ky sektor është mirë i kapitalizuar, profitabil dhe likuid, thotë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza.

Ai ka treguar se zhvillimet në sektorin bankar gjatë këtij viti kanë qenë pozitive, duke nënvizuar rritjen e nivelit të aseteve dhe kredive.

“Sa i përket kapitalizimit, sektori qëndron larg mbi kërkesatrregullative dhe të likuiditetit dhe jashtëzakonisht është inkurajues fakti se edhe portofoli kreditor është ruajtur i shëndoshë dhe kemi pasur një zvogëlim të kredive jo performuese. Nga 8.7 për qind sa ka arritur pikun niveli i kredive joperformuese, aktualisht ka rënë në 6.5 për qind”, deklaron Hamza.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e aseteve në këtë sektor ka arritur në mbi 3 miliardë euro, kurse profiti i realizuar është arritur në vlerën prej 69.3 milionë euro, që është për 22.4 milionë euro më i lartë krahasuar me profitin e realizuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe është rritur edhe shuma e kredive, vlera e të cilave deri në tetor ka arritur në mbi 2 miliardë euro, rritje kjo që i atribuohet zvogëlimit të normave të kredisë, bën të ditur guvernatori Hamza.

“Gjithashtu është inkurajues fakti se normat e interesit janë zvogëluar dhe tashmë Kosova, sa i përket normave të interesit në kredi, është në mesataren e vendeve të rajonit”.

“Në përgjithësi, mund të them se në vitin 2015, sektorin bankar e karakterizojnë zhvillime pozitive, edhe pse ne besojmë seka vend për përmirësim dhe presim që ky trend pozitiv të vazhdojë edhe në periudhat vijuese edhe sa i përket përmirësimit të kushteve të kreditimit, si dhe vendosjen e sistemit bankar në përkrahje të zhvillimit ekonomik dhe sektorit real”, shpjegon guvernatori Hamza.

Normat efektive të interesit për kredi fillojnë nga 7 deri në 8.2 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe bankat komerciale.

Se sektori bankar është stabil, e thonë edhe ekspertë për çështje ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se ruajtja e shumave të depozitave dhe përdorimi i politikave “burokratike” për dhënien e kredive, ka bërë që ky sektor të jetë i sigurt.

“Sektori bankar ka mbi 500 milionë euro depozita tepër, që nuk i ka plasuar te huamarrësit e ndryshëm, e që paraqet një shkallë shumë të lartë të rentabilitetit dhe likuiditetit që në të ardhmen”, vlerëson Bektashi.

Depozitat në bankat komerciale në Kosovë, sipas raportit të BQK-së, për muajin tetor, kanë arritur në mbi 2.6 miliardë euro.

Ndërkaq, kreditë joperformuese kanë shënuar rënie, përderisa është përmirësuar edhe më shumë mbulueshmëria e tyre me provizione.

Ndryshe, në Kosovë operojnë 10 banka komerciale, me 265 njësi në nivel vendi ku janë të punësuar rreth 3400 punëtorë. Ndërkaq, 90 për qind e këtyre institucioneve, janë në pronësi të huaj.

XS
SM
MD
LG