Ndërlidhjet

SHBA e kritikon Rusinë për vrasjen e civilëve në Siri


Ilustrim
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar sërish Rusinë për bombardimet “pa dallim” në Siri, me ç’rast janë vrarë qindra civilë dhe janë rrezikuar bisedimet e paqes.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, tha se raportet e fundit nga grupet joqeveritare që dëshmojnë për vrasjen e qindra civilëve si dhe goditjen nga ajri të objekteve mjekësore, shkollave, tregjeve, etj., janë jashtëzakonsiht shqetësuese.

Ai shtoi se sulmet ku nuk është shikuar se kush mund të jetë goditur, i ka përmendur edhe Sekretari amerikan, John Kerry, gjatë bisedimeve me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Ne e kemi parë një rritje të shtuar dhe shqetësuese të numrit të viktimave nga radhët e civilëve që kur Rusia e ka nisur fushatën ajrore”, tha Toner.

Kerry gjatë bisedimeve me zotin Lavrov, sipas Toner, zoti Kerry e ka ngritur shqetësimin edhe për një sulm ajror të javës së kaluar i cili e ka vrarë Zahran Alloushin, një udhëheqës i shquar sirian që ishte angazhuar për bisedimet e paqes.

“Sulmet mbi ata që mund të jenë pjesë e këtij procesi dhe sulmet që vrasin civilë të pafajshëm, minojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike”, tha ai.

Toner ka shtuar se shpresojnë që ky rast nuk do të dërgojë mesazh dekurajues tek liderët e tjerë opozitarë të Sirisë të cilët kanë shfaqur gatishmërinë për të marrë pjesë në procesin e bisedimeve për paqe.

Bisedimet, në mes të përfaqësuesve nga qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assadi dhe liderëve opozitarë, pritet të fillojnë në muajin janar, ndonëse ende ka shumë pengesa.

XS
SM
MD
LG