Ndërlidhjet

Serbia dhe Kroacia në garë për armatim


Ilustrim
Ilustrim

Shërbimi për Ballkan i Radios Evropa e Lirë

Maketi i sistemit i raketave S-300, armë kundërajrore e prodhimit rus, të cilën zëvendëskryeministri rus, Dimitrij Rogozin ia ka dhënë ditë më parë kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, është shndërruar në temë diskutimi.

Kjo vjen në kohën në kohën kur Serbia dhe Kroacia po grinden në mënyrë verbale rreth armatosjes së mundshme të dyja vendeve.

Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka komentuar dhuratën që Rogozin ia ka dorëzuar kryeministrit serb Vuçiq.

“Dorëzimi i maketit së S- 300 është një porosi e qartë. Ja, këtë mund ta merrni tash nga Rusia. Vetëm maketin. Të kuptohemi, pavarësishtmarrëdhënieve të ndërsjella, e rëndësishme është që ne t’i kemi paratë”, ka theksuar Radiq.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e ka zbuluar faktin se sa do t’i kushtonte aleatit rus në Ballkan blerja e platformës mbrojtëse S-300. Por, ai i ka dërguar porosi publike kreut të Kroacisë.

“Ju vetëm mos i blini raketahedhësit për raketat balistike dhe nuk do të kemi asnjë problem. Ne do ta hiqnim qafe problemin që të paguajmë diçka, sepse nuk kemi para që të hedhim kot në këtë moment. Ne nuk po e bëjmë këtë për ta kërcënuar dikë, Ja, ju vetëm thoni që nuk doni armatim sulmues dhe as ne nuk duam armatim mbrojtës”, ka thënë Vuçiq.

Kjo ofertë ka ardhur në mes të retorikës së mprehur rreth asaj se pse dhe në interes të kujt është armatosja, e cila ka kulmuar me dorëzimin solemn të radarit rus, në formën e një lodre.

Kjo simbolikë ka shqetësuar opinionet në këto dy vende të ish- Jugosllavisë, duke shtuar frikën se mos politikanët po luajnë tepër, e sidomos pas përvojës me luftërat e viteve 90 të shekullit të kaluar.

Por, Branko Kërga, ish- shef i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe atashe ushtarak i dikurshëm në Moskë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se nuk ka arsye që e gjithë kjo të interpretohet në këtë mënyrë.

“Duke e njohur strategjinë e sigurisë kombëtare të Serbisë dhe disponimin e shumë njerëzve nga ato struktura, besoj që absolutisht nuk ka asnjë arsye që kushdo të neveritet nga fakti se pse Serbia e vendos në plan forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së saj”, ka theksuar Kërga.

Përderisa palët në këtë konflikt verbal janë këmbëngulëse në bindjet e tyre se pala tjetër pa arsye dëshiron të tubojë armatim, vetëm aktorët kryesorë e dinë nëse këto kërcënime janë, siç thuhet, “me pushkë të zbrazura”.

Analisti Aleksandar Radiq konsideron se nuk ka elemente reale për krijimin e konfliktit.

“Politikanët e qeverisë serbe deri më tash kanë folur për armatimin rus në kontekstin e prezantimit në media. Se a do të ndodhë diçka e re dhe se a do të këtë ndonjë kthesë, këtë mbetet ta shohim. Ndoshta këto gjëra që po ndodhin në Beograd i kanë rrënjët pikërisht, para së gjithash, te nevoja për të marrë mbështetjen e votuesve”, tha Radiq.

Përderisa Beogradi dhe Zagrebi e shohin njëri tjetrin përtej gardhit, me dyshime, duke u frikuar nga mosbalancimi i fuqisë ushtarake, si dhe nga kërcënimet potenciale, Rusia nuk po qëndron duarkryq.

Rogozin ka theksuar se Moska do ta shqyrtoj listën e Serbisë për blerjen e armatimit rus.

“Ne, në asnjë mënyrë nuk ua imponojmë asnjë lloj armatimi, asnjë lloj të lodrave të shtrenjta që kushtojnë shumë para. Por, i qasemi me mirëkuptim shqetësimeve që kanë populli serb dhe udhëheqësit e tij, lidhur me militarizimin e rajonit”.

“Ne nuk konsiderojmë që Ballkanit i nevojitet militarizimi. Ne angazhohemi që ajo që ka ndodhur gjatë viteve 90 në këto hapësira të mos përsëritet më kurrë. Por, nuk jemi indiferent kur bëhet fjalë për sigurinë e mikut tonë, Serbisë”, ka thënë Rogozin.

Në anën tjetër, qëndrimi i Beogradit, kur bëhet fjalë për forcimin e nxituar të forcës mbrojtëse, është që në rajon po krijohet çekuilibrimi ushtarak, i cili mund t’i drejtohet Serbisë.

Ivica Daçiq, shef i diplomacisë serbe, ka porositur që shteti duhet të reagojë.

“E çfarë të bëjmë... të duartrokasim dhe të themi se Kroacia duhet të marrë edhe bombë nukleare? Ne askujt nuk i kërcënohemi, por duhet të përgjigjemi, duhet të mbrohemi. Unë jam për atë thënien e Hemingvejt ‘Lamtumirë armë’. Por, ato duhet t’i hedhin të gjithë”, ka thënë Daçiq.

Por, Aleksandar Radiq shpreh mendimin se nuk ka arsye për të bërë panik.

“Blerjet e armëve për ushtrinë kroate janë pjesë e procesit afatgjatë të modernizimit të saj. Ky është dokument publik dhe planin afatgjatë të zhvillimit e kanë bërë qysh dy vjet më parë”, tha Radiq.

Në një atmosferë të mosbesimit dhe pasigurisë, që përkujton në situatat e “kërcitjes me armë”, tash për tash dihet vetëm që çmimi i sistemit të sofistikuar kundërajror S-300, siç është përmendur edhe në takimin serbo -rus në Beograd, është më së paku 115 milion dollarë.

Edhe në qoftë se Serbia i gjen paratë për blerjen e armatimit rus, megjithatë në shtigjet e gjata, ajo nuk do t’i ndryshojë marrëdhëniet me NATO-n dhe me fqinjët, vlerëson Branko Kërga.

“Kjo nuk nënkupton kthim kah Rusia. Serbia ka punë të tilla edhe me disa vende perëndimore. Ky, tash, nuk është ndonjë kthim thelbësor dhe heqje dorë nga statusi ushtarak neutral”, ka thënë Kërga.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG