Ndërlidhjet

Në Bruksel nis takimi i dy kryeministrave


Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas) e kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa (djathtas) gjatë takimit të sotëm në Bruksel
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas) e kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa (djathtas) gjatë takimit të sotëm në Bruksel

Pas përfundimit të dy takimeve të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa e më pas me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini tashmë e ka filluar takimin e përbashkët me dy kryeministrat.

Zëdhënësja e zonjës Mogherini, Maja Kocijançiq, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka bërë me dije për fillimin e takimit të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Pasditën e sotme Mogherini fillimisht e ka takuar kryeministrin Isa Mustafa.

Nga Brukseli nuk janë dhënë detaje nga rrjedha e takimit në mes kryeministrit të Kosovës dhe zonjës Mogherini.

Por, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate, ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.

"Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Pas takimit me Mustafën, Mogherini është takuar me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, takim për rrjedhën e të cilit nuk janë dhënë detaje.

Takimi i sotëm i të dy kryeministrave është i pari pas takimit të 25 gushtit të vitit të kaluar, kur u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që nxiti një krizë politike në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Themelimi i Asociacionit po kundërshtohet ashpër nga opozita në Kosovë, e cila po vazhdon edhe më tej të kërkojë tërheqjen e kësaj marrëveshjeje nga ana e qeverisë së vendit. Kundërshtimet rreth kësaj çështjeje ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, kanë sjellë deri te zvarritja e krijimit të Asociacionit.

XS
SM
MD
LG