Tre deri në katër milionë njerëz mund të infektohen me virusin Zika në të dyja Amerikat këtë vit, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Infeksioni dyshohet se ka lidhje me defekte të trurit te foshnjat. Mijëra foshnja kanë lindur me tru të vogël në Brazil.
Drejtorja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, ka thënë se Zika, e cila rrjedh nga mushkonja, është shndërruar nga një kërcënim i butë, në një kërcënim të përmasave alarmuese.
OBSH ka ngritur një “ekip emergjent” për virusin, i cili do të mblidhet të hënën për të vendosur nëse Zika duhet të trajtohet si emergjencë globale.
Hera e fundit kur është shpallur një emergjencë globale ka qenë për shpërthimin e Ebolës në Afrikën Perëndimore, e cila ka vrarë mbi 11,000 njerëz.
Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA kanë thënë se kanë dy vaksina potenciale në zhvillim e sipër, për virusin Zika.