Ndërlidhjet

Phillips: Numri i të radikalizuarve në Kosovë po rritet


David Phillips, foto arkivi
David Phillips, foto arkivi

“Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, keni shkruar së fundmi se historia e gjatë e Kosovës e “të pasurit karakter sekular, është duke ndryshuar”. Pse mendoni se po ndryshon?

David Phillips: Fillimisht dua të nënvizoj se shqiptarët etnikë kanë qenë gjithmonë fuqishëm pro-amerikanë. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bashkëpunuar ngushtë për ta ndalur agresionin e Serbisë, dhe rrjedhimisht për të ecur drejt pavarësisë. Pra, është një lidhje shumë e thellë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve.

Megjithatë, lënia pas dore e Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara ka pasur ndikimin e vet në psikologjinë e kosovarëve.

Shkalla e papunësisë është shumë e lartë, Shtetet e Bashkuara kanë përqëndruar vëmendjen gjetkë; qeveria në Kosovë është dëshmuar të jetë e paaftë në zgjidhjen e problemeve në vend dhe në shumë rrafshe madje i ka përkeqësuar problemet…

Prandaj, për fat të keq ajo lidhja e ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është zbehur. Mendoj se mund të rivendoset, por duhet të bashkëpunojmë më nga afër, ndërkohë që edhe perspektiva evropiane e Kosovës duhet të fuqizohet.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, autoritetet vlerësojnë se rreth 300 qytetarë i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak, një numër që Kosovën e bën kontribuesin më të madh në Evropë, për kokë banori. Autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë masa parandaluese, por të shumtë janë ata që thonë se ato nuk ishin dhe nuk janë të mjaftueshme. Ju si mendoni?

David Phillips: Autoritetet na kanë dhënë një numër prej 300 kosovarësh, të cilët janë rreshtuar përkrah Shtetit Islamik. Kjo është e dhëna zyrtare. Në fakt, unë mendoj se numri është thelbësisht më i lartë, mbase 1,000.

Megjithatë, numrat nuk janë të rëndësishëm, e rëndësishme është të theksohet mungesa e gatishmërisë nga ana e qeverisë në Kosovë për të krijuar mundësi punësimi, arsimimi, për t’u dhënë të rinjve në Kosovë shpresë dhe mundësi.

Qeveria është përgjegjëse për politikat e brendshme të vendit, por edhe komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar shoqërinë civile apo për të mbështetur punën e qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe njerëzor.

Pra, faji qarkullon përreth, e ndërkohë bota paguan çmimin, kur kushdo që shkon në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, ai person paraqet rrezik me t’u kthyer – edhe në Kosovë – se mund të jetësojnë aftësitë që kanë marrë atje për të organizuar sulme, për të shënjestëruar të tjerët.

Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë “mozaik të radikalizimit” në Kosovë, është një pjesëz që për shumëkë nuk ka kuptim; fakti që në njërën anë, siç e thatë edhe ju në fillim të kësaj interviste, popullata shqiptare shumicë në Kosovë është fuqishëm pro-amerikane, pro-perëndimore, kurse në anën tjetër kjo popullatë ka edhe këto elemente të rrezikshme përbrenda. Si do ta shpjegonit këtë?

David Phillips: Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje. Ata janë radikalizuar për të njejtat arsye nga të cilat janë radikalizuar myslimanët tjerë anembanë: ata nuk mendojnë se kanë mundësi të barabarta ekonomike dhe arsimimi, njohja e pavarësisë së Kosovës tani është ngrirë dhe mendoj se numri ende qëndron në 110 shtete që kanë njohur shtetin e Kosovës... njerëzit kanë ndjesinë e mundësive të kufizuara.

Nëse Shtetet e Bashkuara e mendojnë seriozisht luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, atëherë duhet ta mirënjohin rolin thelbësor që kanë, ta afrojnë Kosovën, ta trimërojnë Bashkimin Evropian të integrojë edhe më Kosovën, për shembull përmes liberalizimit të vizave dhe përmes një rruge më të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.

Me të ndodhur këto, do të shohim ndryshime në cilësinë e shoqërisë në Kosovë; përgjegjësia për këto ndryshime mbetet barrë e kosovarëve, por Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar mund të kenë rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Ku mendoni se është burimi i radikalizimit në Kosovë, por edhe në rajon – me të njejtin problem përballet Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja? Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale në Kosovë nuk janë nga sot, apo jo?

David Phillips: Përgjegjësia mbi këtë fenomen bjen mbi kosovarët dhe popullatat vendore. Por, nuk duhet ta neglizhojmë mundësinë për të kuptuar rolin shumë rolin tinëzar që Turqia po luan në radikalizimin e vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Turqia po eksporton agjendën islamiste të Partisë për Drejtim dhe Zhvillim [AKP], po shfrytëzon Agjencinë Turke për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bashkëpunim si mekanizëm për të promovuar agjendën e saj ideologjike, për të mbështetur atë që ajo e cilëson si kapituj të vëllazrëisë myslimane në botë, duke rindërtuar xhami dhe institucione të tjera islame.

Procesin e deradikalizimit e kanë udhëheqësit vendorë, dhe ata duhet të pavarësohen nga agjenda e Turqisë dhe kësisoji, Kosova të marrë vendin e duhur si vend mik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: Për fund, në rrafshin global, shumë vende i janë bashkuar koalicionit kundër grupit militant Shteti Islamik; ky grup ka humbur territor gjatë 2015-s në Siri dhe Irak, por megjithatë është ende në këmbë…Si mund të mposhtet, si dhe nga kush saktësisht?

David Phillips: E vetmja mënyrë për ta mposhtur është kur popullatat e prekura direkt nga ky grup ngriten kundër kontrollit që Shteti Islamik ka. Të vetmit që kanë treguar kapacitet dhe përkushtim në Siri dhe Irak, për t’iu kundërvënë Shtetit Islamik janë kurdët. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar armatim dhe mbështetje të afërt nga ajri partisë më të madhe kurde në Siri, PYD, dhe peshmergave në Kurdistan të Irakut.

Armatosja e tyre duhet të zgjerohet, duhet të shtohet bashkëpunimi taktik në fushëbetejë dhe duhet bashkëpunuar më ngushtë me këto grupe, mbi nisma diplomatike.

Nëse administrata e zotit Obama e mendon seriozisht mposhtjen e Shtetit Islamik dhe jo vetëm kufizimin e tij, duke ia lënë në agjendë administratës tjetër, ajo duhet të bashkëpunojë me luftëtarët lokalë.

Kurdët janë të vetmit luftëtarë lokalë që kanë dëshmuar se janë të denjë për partneritet, njësoj siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet e 90-ta.

Shtetet e Bashkuara duhet ta dijnë se kurdërt janë miqtë e vetëm dhe më të mirë në rajon dhe duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin në rrafshin e sigurisë, dhe atë politik me kurdët, për t’u dhënë mbështetje ta kundërshtojnë Shtetin Islamik dhe të vazhdojnë të rikthejnë territore në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG