Ndërlidhjet

Hetohen dhjetëra raste për mashtrim zgjedhor në Maqedoni


Përfaqësuese të Prokurorisë Speciale të Maqedonisë
Përfaqësuese të Prokurorisë Speciale të Maqedonisë

Prokuroria Speciale në Maqedoni ka njoftuar se, në kuadër të aksionit të emërtuar “Titanik”,ka hapur dhjetëra procedura hetimore për veprën penale mashtrim zgjedhor.

Gjatë këtij aksioni, të premten, është arrestuar një person, i cili është nxjerrë para gjykatës, përderisa për shtatë persona të tjerë është ngritur fletë arrest.

Prokuroria Speciale në Maqedoni gjithashtu ka bërë të ditur se është hapur hetim edhe ndaj pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative në Shkup, si dhe katër anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të vitit 2013, për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

“Prokuroria Speciale ka hapur procedurë hetimore për dhjetëra vepra penale që kanë të bëjnë me shkeljet gjatë procesit zgjedhor, shkeljet gjatë votimit, pastaj shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut, sigurinë e përgjithshme dhe atë të pronës, si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka theksuar Prokuroja Speciale Publike,Katica Janeva.

Ndërsa, Fatime Fetai, anëtare e ekipit të Prokurorisë Speciale, të premten, në konferencën për medie, ka bërë të ditur se është hapur procedurë hetimore për keqpërdorimet në proceset zgjedhore, siç ka sqaruar, për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës zgjedhore, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorimin e mjeteve për fushatën zgjedhore gjatë vitit 2012.

“Ministrat e Punëve të Brendshme, të Transportit dhe Lidhjeve, si dhe sekretari i qeverisë së atëhershme dhe persona të tjerë, të cilët kanë qenë në funksion gjatë vitit 2012, kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre dhe në shkallë lokale dhe shtetërore kanë krijuar grup për kryerjen e veprës penale, që t'i mundësojnë fitore një partie të caktuar politike në zgjedhje”, ka sqaruar prokurorja Fatime Fetai.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka njoftuar se është duke hetuar edhe dyshimet për më shumë shkelje gjatë procesit zgjedhor gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2013, në komunën e Çairit të Shkupit.

“Ju njoftoj se nga ana e Prokurorisë Speciale është hapur proces hetimor kundër anëtarëve të Komisionit Zgjedhor në komunën e Çairit, sepse ekzistojnë dyshime për vjedhje dhe mashtrim, në kuadër të zgjedhjeve lokale."

"Në bazë të nenit 104 ekzistojnë dyshime se në proces verbalet gjatë zgjedhjeve lokale për zgjedhjen e kryetarit të komunës në vitin 2013 është ndryshuar rezultati zgjedhor, dhe për këtë arsye ndaj një anëtari të Komisionit Zgjedhor është ngritur fletë arrest”, ka theksuar prokurorja Fetai.

Ndërsa prokurorja Lence Ristova ka thënë se në kuadër të aksionit “Titanik” është kërkuar paraburgim për persona të caktuar, në ditët e ardhshme, duke mos dashur të zbulojë identitetin e personave që do arrestohen në fazën e parë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, si institucion, është ngritur në bazë të marrëveshjes politike të arritur vitin e kaluar mes katër partive politike, dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kompetencë e kësaj Prokurorie është hetimi bisedave të përgjuara, në bazë të cilave ka indikacione se funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në më shumë afera korruptive dhe keqpërdorim të proceseve zgjedhore.

XS
SM
MD
LG