Ndërlidhjet

Dallime të mëdha nëpër shkollat fillore


Shkollat fillore në kryeqytet
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Shkollat fillore në kryeqytet

Kushtet infrastrukturore e hapësinore, në të cilat mësojnë nxënësit nëpër shkollat fillore në Kosovë, dallojnë shumë. Disa nga shkollat fillore kanë krijuar kushte të mira, hapësira dhe mundësi më të favorshme për mësim, përderisa ka shkolla tjera, në të cilat ka mbingarkesë me numrin e nxënësve.

Rreth dy vjet më parë, kur e kishte ndërruar shkollën fillore, Agnesa, tash nxënëse e klasës së tetë, nuk e kishte menduar asnjëherë se do t’i vijonte mësimet në shkollën e ëndrrave. Hapja e shkollës fillore “Model”, në lagjen e saj, ofronte infrastrukturë moderne e planprogram mësimor më ndryshe sesa shkollat e tjera të kryeqytetit.

“I ke të gjitha mjetet që të duhen ty për ta kuptuar mësimin, edhe të tërheqë më shumë për me mësu, e jo vetëm me ardhë në shkollë e në mënyrë teorike më mësu…pra, edhe në praktikë i mëson gjërat…mundesh me dalë jashtë edhe bashkë me arsimtarë me mësu”, thotë Agnesa Tahiri, nxënëse.

Në shtator të vitit 2014 u hap shkolla fillore “Model”, më e reja në Kosovë, me një kapacitet prej 740 nxënësish. Liridon Maliqi, drejtor i kësaj shkolle, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkolla “Model” dallon prej shkollave të tjera të kryeqytetit, si në infrastrukturë, ashtu edhe sistemin e organizimit të mësimit.

“Kemi kantinën në shkollë, dushet në sallë të edukatës fizike, kabinetet me të gjitha mjetet përcjellëse, gjithashtu kemi mjete konkretizuese për çdo njësi mësimore, si dhe nga ky vit kemi mësimin gjithë ditor, që fillon nga ora 8 në mëngjes, deri në orën 3:35 pasdite, ku nxënësit mund të qëndrojnë në shkollën tonë”, shpjegon Maliqi.

Edhe mësuesja Syzana Xhemaili, e cila nga shkolla fillore “Meto Bajraktari” është transferuar në këtë shkollë, tregon për dallimet mes këtyre shkollave.

“Këtu mësimi është pak më ndryshe, më i avancuar... mundësitë janë më të mëdha për nxënie, dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme që parashihen me plan program”, tregon mësuesja Xhemaili.

Për dallim nga shkolla “Model”, shkolla fillore “Ismail Qemaili” në lagjen “Bregu Diellit” në Prishtinë, funksionon në kushte tjera.

Drejtoresha e re e kësaj shkolle, Hatmane Demiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri prej rreth 2800 nxënësish, që e vijojnë mësimin në këtë shkollë, ndikon në mbingarkesën e klasave.

“Po ndikon në cilësi, po ndikon në hapësirë, po ndikon edhe në mbarëvajtje, po ndikon edhe në procesin mësimor”, thekson Demiri.

Ajo shton se po të kishte shkolla më pak nxënës, atëherë do të krijoheshin hapësira për më shumë kabinete mësimore.

E hapja e një shkolle të re në atë pjesë të qytetit, sipas drejtoreshës komunale të arsimit, Arbërie Nagavci, hyn në planet e Komunës së Prishtinës. Ajo është e vetëdijshme se ka dallime të mëdha mes shkollave, por thotë se po punojnë në përmirësimin e gjendjes.

“Jemi munduar që t’i balancojmë dallimet në mes të shkollave dhe besoj që sado që janë disa shkolla që në gjëra të caktuara kanë nevojë për intervenim, gjendja është duke u përmirësuar vazhdimisht”, deklaron Nagavci.

Ndërsa njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se dallimet më të mëdha në arsimin e Kosovës vërehen ndërmjet institucioneve shkollore urbane dhe rurale.

“Shteti, me politikat e veta zhvillimore, duhet të bëjë përpjekje maksimale që për të gjithë nxënësit dhe në të gjitha institucionet shkollore të krijojë barazi, sepse në koketimin e kësaj barazie, krijohet edhe barazia sociale në mes të njerëzve”, vlereson Hyseni.

Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Prishtinës ka 43 shkollat fillore dhe të Mesme të Ulëta. Zyrtarët komunalë thonë se planifikojnë t’i ndërtojnë edhe tri shkolla të reja, përfshirë një shkollë në lagjen Mati.

XS
SM
MD
LG