Ndërlidhjet

Kostot që vijnë me avancimet e Rusisë në Siri


Alepo, Siri. Shkurt, 2016.
Alepo, Siri. Shkurt, 2016.

Pas disa muajsh të sulmeve ajrore në Siri, Moska mund të pretendojë se ka arritur sukses dhe se ka forcuar aleatin e saj, presidentin sirian, Bashar al-Assad.

E përqendruar në provincën veriore të Alepos, fushata bombarduese e Rusisë - e cila ka nisur në fund të shtatorit, pasi ushtria e Assadit ka pësuar një varg humbjesh - ka forcuar në mënyrë të konsiderueshme pozicionin negociues të Damaskut për bisedimet për paqe.

Por, avancimet e bëra nga Rusia dhe Siria vijnë me kosto të lartë.

Me mbështetjen ajrore të Rusisë, si dhe me përforcime nga milicitë shiite të Libanit dhe Iranit, Damasku ka kthyer shumicën e territorit që ka humbur nëpër beteja. Qyteti i Alepos mund të jetë fitorja më e madhe e tij.

“Nëse pjesët e qytetit që kontrollohen nga rebelët, bien, kjo do të ishte një fitore dramatike për Assadin dhe zmbrapsja më e madhe e rebelëve, prejse ka nisur kryengritja në vitin 2011”, ka shkruar në revistën Foreign Policy Emile Hokaymen, ekspert për sigurinë në Lindjen e Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Sipas tij, kjo, jo vetëm që do t’i vinte forcat rebele në gjunj, por do t’i jepte vrull regjimit të Assadit, i cili vështirë se do të mund të ndalet nga aktorët e jashtëm që mbështesin rebelët sirianë.

“Turqia dhe Arabia Saudite, mbështetëset kryesore të rebelëve, janë privuar tani nga mundësitë”, thotë Hokaymen. Ai shton se asnjëri vend nuk është i gatshëm t’iu ofrojë rebelëve raketa antiajrore, nga frika e veprimeve ndëshkuese ruse.

Ridefinimi i betejës siriane mund të bëjë që opozita, dhe jo regjimi, të ndjejë nevojën më të madhe për të negociuar paqen.

Dhe, ky nuk është rezultati që kanë parashikuar forcat e ndryshme që luftojnë Assadin, apo mbështetësit e tyre të jashtëm.

Fuqitë botërore kanë arritur të pajtohen për nevojën e “ndalimit të armiqësive” në Siri, më 12 shkurt. Por, marrëveshja, e cila mund të hyjë në fuqi këtë javë, nuk do të ndalë bombardimet e Rusisë kundër atyre që ajo i konsideron caqe terroriste në Alepo.

Sfidë për Perëndimin do të jetë ndërmjetësimi i paqes në Siri, që do të çojë në krijimin e një qeverie të re dhe në largimin e Assadit nga pushteti. Se kur do të ndodhë kjo, do të varet në masë të madhe nga gatishmëria e Moskës për të detyruar Damaskun që të bëjë lëshime në interes të stabilizimit të vendit.

“Kjo është ajo që duhet të presim, një marrëveshje në të cilën Rusia ka ndikim, çimenton praninë e saj në Lindjen e Mesme, ruan interesin e aleatëve të saj, por po ashtu i detyron ata të bëjnë kompromise”, thotë Ayham Kamel, drejtor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Grupin Euroazia në Londër.

Fushata e vazhdueshme në Alepo ka bërë që dhjetëra-mijëra njerëz të ikin nga qyteti dhe t’ia mësyjnë kufirit turk. Ky eksod u është shtuar 4.5 milionë njerëzve të tjerë që tashmë kanë ikur në vendet fqinje dhe në Egjipt. Që nga viti i kaluar, mijëra kanë lëvizur edhe më tutje, duke kërkuar strehim edhe në Evropë.

Nuk ka statistika të sakta në dispozicion se sa civilë kanë vdekur në Siri, si rezultat i bombardimeve ruse në zonat e populluara që kontrollohen nga rebelët anti-Assad. Por, në muajin janar, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup i pavarur monitorues me seli në Britani, ka thënë se numri i civilëve të vdekur nga sulmet ajrore ruse qysh në shtator është 1,045. Sipas Vëzhguesit, 238 nga të vrarët kanë qenë fëmijë.

Disa nga vdekjet po ashtu kanë ndodhur si pasojë e përdorimit të armëve të ndaluara ndërkombëtarisht.

Organizata Human Rights Watch ka raportuar më 8 shkurt se në operacionet e përbashkëta ushtarake Rusi-Siri janë përdorur bomba thërmuese në së paku 14 sulme dhe se ato kanë varrë së paku 37 civilë.

Për shkak të ndikimit të tyre pa dallim, municionet thërmuese janë të ndaluara në bazë të një konvente ndërkombëtare që ka hyrë në fuqi në vitin 2010.

Ushtria ruse më herët ka mohuar se ka municione thërmuese në Siri.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG