Ndërlidhjet

Mësim plotësues i gjuhës shqipe për diasporën


Autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për sensibilizimin e diasporës, që të përfshijnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në vendet evropiane ku këta qytetarët të Kosovës jetojnë.

Deri më tani, në procesin e regjistrimit të diasporës janë evidentuar mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në vendet evropiane, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër.

Procesi i regjistrimit, ndërkohë, është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Zëdhënësi i Ministrisë së Diasporës, Lorik Pustina, tregon për Radion Evropa e Lirë, se për të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, do të mundësohet mësim plotësues i gjuhës shqipe.

Për këtë, shton ai, kanë dërguar rreth 300 mijë tekste shkollore në diasporë për nevojat e shkollës shqipe.

“Ministria e Diasporës në kuadër të planit të veprimit dhe të strategjisë për diasporën dhe mërgatën, si një ndër shtyllat kryesore të veta, e ka edhe çështjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, në formën e mësimit plotësues. Ministria e Diasporës është në kontakt të vazhdueshëm me lidhjen e arsimtarëve dhe prindërve në diasporë dhe në forma të ndryshme përmes projekteve tjera ne iu ndihmojmë që të ngrisim nivelin e mësimit dhe të rrisim numrin e nxënësve që vijojnë në shkollat shqipe”, tregon Pustina.

Ai tregon se nuk kanë ndonjë shifër të saktë të numrit të nxënësve të cilët ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por që numri i nxënësve ende mbetet i ulët dhe për këtë, siç thotë ai, janë duke bërë përpjekje që ky numër të rritet.

Pustina tregon se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës në bashkëpunim më Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë kanë një marrëveshje rreth aktiviteteve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

“Të dy qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë bartëse të këtij procesi në mënyrë që të unifikohen kurrikulat, të fillojë pagesa e arsimtarëve në gjuhën shqipe, të bëhet përzgjedhja e tyre në mënyrë institucionale në mënyrë që të ketë një mësim kualitativ të gjuhës shqipe, një mësim me tekste të njëjta shkollore që do të kontrollohen nga ekspertët e dy qeverive dhe në këtë formë të nxisim rritjen e numrit të nxënësve që për momentin nuk është i kënaqshëm”, shpjegon Pustina.

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë, po vlerësohet si një proces mjaft i rëndësishëm nga ekspertët e çështjeve të arsimit.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë thotë se vetëm në këtë mënyrë ruhet një ndër parimet themelore të vlerave universale njerëzore.

“Rëndësia e kësaj strategjie qëndron në aspektin e ruajtjes së identitetit kombëtar. Gjenerata e dytë, gjenerata e tretë e diasporës, do të treteshin dhe asimiloheshin nëse nuk do të kishte mësim plotësues shqip në vendet ku ata jetojnë. Kështu që është një ndër veprimet e qëlluara, të dobishme, dhe jashtëzakonisht humane”, thotë Hyseni.

Ky proces i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, shton Hyseni, duhet të jetë i përgatitur mirë, të ketë tekste të mira shkollore, si dhe të jetë mësim atraktiv për nxënësit.

XS
SM
MD
LG