Ndërlidhjet

Jahjaga e Mustafa mbështesin nismat zhvillimore të komunave


Konferenca “Zhvillimi ekonomik lokal” e mbajtur në Prishtinë
Konferenca “Zhvillimi ekonomik lokal” e mbajtur në Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa u kanë dhënë mbështetje nismave për rritjen e zhvillimit ekonomik nëpër komunat e vendit.

Gjatë konferencës “Zhvillimi ekonomik lokal”, presidentja Jahjaga ka folur për angazhimin e saj, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermane dhe Odën Ekonomike Amerikane, drejt nxitjes së punësimit dhe investimeve nëpër komuna.

Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, ka nënvizuar Jahjaga, është i arritshëm vetëm nëpërmes një politikëbërjeje dhe planifikimi afatgjatë.

“Studime të ndryshme dëshmojnë se një numër i konsiderueshëm i komunave të Kosovës ofrojnë shërbime të pamjaftueshme për biznesin. Kjo reflektohet pastaj në një nivel më të ulët të aktivitetit afarist nëpër ato komuna”, është shprehur Jahjaga.

Kurse kryeministri, Isa Mustafa ka vlerësuar se nëpër komunat e Kosovës është bërë një punë e madhe, por ka potencuar po ashtu se opinioni publik është akoma i stërngarkuar me kauza politike të cilat nuk prodhojnë efekte zhvillimore dhe nuk ndihmojnë në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Mendoj që situata është ndryshe, jo siç ne dëshirojmë, nuk është ideale, por njerëzit po punojnë, bizneset po zhvillohen, fushat sociale po stabilizohen, komunat po përpiqen ta bëjnë punën e tyre në mënyrë që të krijojnë një mirëqenie ekonomike, sociale të qytetarëve tanë”, ka thënë Mustafa.

Në konferencë, ëshët folur si për kapacitetet zhvillimore që ofrojnë komunat ashtu edhe për mundësitë e reja që krijohen me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit apo liberalizimit të vizave në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG