Ndërlidhjet

Anulohet takimi i Vjenës, vazhdojnë protestat


Takimi i Vjenës i katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni që duhej ta nxirrte vendin nga kriza, është anuluar.

Takimi në fjalë ishte paraparë të mbahej të premten në Shtëpinë e BE-së në Vjenë, ku liderët e katër partive politike kryesore në praninë e eurodeputetëve, njëherësh dhe ambasadorit të SHBA-së në Shkup Jess Baily dhe atë të BE-së Avio Orav, si dhe komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn do të duhej të arrinin ujdi për të debllokuar realizimin e marrëveshjes politike të njohur si marrëveshja e Përzhinos.

Lajmin për dështimin e takimit në Vjenë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë përfaqësues nga partitë në pushtet dhe ata në opozitë.

Anulimi i takimit të katër liderëve të partive kryesore në Vjenë vjen pas qëndrimit të liderit të partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev se ai në Vjenë do të shkojë vetëm pasi që presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov të anulojë vendimin që të falë politikanët për të cilët ka nisur hetime Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, si dhe përfshirje në korrupsion, dhe e dyta Parlamenti të vendos për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski menjëhërë është përgjigjur se Parlamenti nuk mund të mblidhet sërish për të prolonguar datën e zgjedhjeve sepse tanimë ai është shpërbërë dhe nëse një gjë e tillë do të bëhej atëherë do të shkelej rëndë Kushtetuta.

Por, nga Lidhja Social Demokrate kanë theksuar se kryetari Veljanovski ka të drejtë të mbledhë Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme përderisa mandati i deputetëve të tanishëm zgjatë deri në konstituimin e përbërjes së re të Parlamentit.

Ndërkohë nga kabineti i presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, kanë njoftuar se “nga konsultimet e deritanishme të bëra me ekspertë juridik të vendit, nuk është gjetur bazë ligjore për tërheqjen e vendimit. Konsultimet vazhdojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes”.

“Si çdoherë, ashtu edhe në të ardhmen do të veprojmë ekskluzivisht në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Maqedonisë”, theksohet në komunikatën me shkrim të presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov.

Pas anulimit të takimit të Vjenës, përmes një deklarate me shkrim është prononcuar vetëm partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, duke theksuar se “kriza duhet të zgjidhet në Shkup dhe atë duhet ta zgjidhin politikanët e përgjegjshëm menjëherë".

Nga Partia Demokratike Shqiptare nuk ka pasur asnjë informacion as para e as pas anulimit të takimit të katër liderëve të takimit në Vjenë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në këtë fazë kritike në të cilin ka hyrë shteti, partitë politike duhet të bëjnë veprime konkrete me atë që VMRO DPMNE duhet t'i mundësojë kushte Prokurorisë Speciale për të ndjekur penalisht të gjithë ata të cilët kanë shkelur ligjin, dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë të pranojë që të hyjë në zgjedhje në një afat sa më të shkurtër qoftë edhe nëse prolongohet data e zgjedhjeve.

“Edhe njëra palë edhe tjera duhet të garantojnë realizimin e dy shtyllave kryesore të marrëveshjes politike, të krijohen kushte që Prokuroria Speciale të veprojë pa stërkëmbëza nga ana e sistemit gjyqësor dhe institucionet e tjera të shtetit dhe nga ana tjetër të realizohen zgjedhjet. Pra, këto dy gjëra janë çështjet bazë mbi të cilën është ndërtuar marrëveshja politike, njëra pa tjetrën nuk shkojnë”, thekson Sasho Klekoski analist politik

Ndërkohë po vazhdojnë protestat e organizuara nga shumë organizata joqeveritare.

XS
SM
MD
LG