Ndërlidhjet

Partitë taktizojnë me takimin e Vjenës, protestat marrin intensitet


Shkup
Shkup

Partitë politike në Maqedoni, deri të mërkurën pritet të marrin vendimet përfundimtare lidhur me takimin e Vjenës, të caktuar për të premten nga përfaqësuesit ndërkombëtar, me qëllim kapërcimin e krizës që së fundi ka kulminuar me protesta në shumë qytete të Maqedonisë duke rrezikuar destabilizim të përmasave të mëdha.

Në Vjenë janë ftuar liderët e katër partive nënshkruese të marrëveshjes politike, e cila që nga arritja vitin e kaluar nuk ka arritur të zbatohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe procedimin e të gjitha rasteve që kanë dalë nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Pastrimi i listës zgjedhore, ndarja e partisë nga shteti, reformat në media si dhe vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme kriminale, janë temat kryesore të takimit mes Nikolla Gruevskit, Zoran Zaevit, Ali Ahmetit, Menduh Thaçit dhe përfaqësuesve ndërkombëtar.

Ekspertët për çështje juridike, thonë se prokuroria speciale e cila edhe po heton punën e zyrtarëve si dhe mbajtja e zgjedhjeve janë çështjet kyçe të takimit, i cili vlerësohet si vendimtar për të ardhmen e vendit.

“Pra, si njëra ashtu edhe pala tjetër duhet të garantojnë dy shtyllat kryesore të marrëveshjes politike, edhe zgjidhjen politike, edhe atë juridike të krizës, pra garantimin e punës së Prokurorisë Speciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Dy palët duhet të harmonizojnë qëndrimet pasi këto dy çështje janë të lidhura me njëra tjetrën".

"Nuk mund të mbahen zgjedhje në kohën kur pengohet puna e prokurorisë lidhur me përgjimet që edhe kanë shkaktuar krizën. Veç kësaj, vlerësoj se do të ishte e dobishme që deri të premten të anulohet edhe vendimi i presidentit për faljen e zyrtarëve, pasi ishte një vendim krejtësisht i gabuar edhe politikisht edhe juridikisht”, thotë Sasho Klekovski, njohës i çështjeve juridike dhe politike.

Kriza që tashmë është përshkallëzuar edhe me protesta rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e vendit, thotë ndërkohë Osman Kadriu, ekspert i së drejtës kushtetuese.

Ai thotë se të gjitha veprimet e ndërmarra nga pushteti janë kundër-kushtetuese.

Sipas tij, zgjidhja e problemit qëndron në shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi pa plotësimin e kushteve ato nuk do të jenë legjitime. Kadriu thotë se vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme andaj edhe nuk qëndrojnë argumentet se nuk ka bazë ligjore për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit pasi edhe vendimi për shpërndarjen e tij ishte i jo legjitim.

“Për situata të jashtëzakonshme nuk vlen parimi se Kuvendi nuk mund të ushtron apo të cakton seancë për të diskutuar çështjen që kanë lidhje me gjendjen e krijuar. Kjo seancë duhet të ketë dy pika të rendit të ditës. Pika e parë të miraton vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në afat të pacaktuar deri sa nuk krijohen kushte që ato të jenë të besueshme, të lira dhe demokratike".

"Pika e dytë e kësaj seance do të duhej të kishte në rend ditë është përgjegjësia politike e presidentit të shtetit. Kuvendi në këtë rast do të vërtetonte përgjegjësinë e tij në rastin e faljeve dhe vendimi do t'i dërgohej Gjykatës Kushtetuese”, thotë profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu.

Ndryshe, paralelisht me nismën për negociata të reja, por zhvillohen edhe protesta të cilat përveç në Shkup janë shtrirë edhe në qytete tjera me pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe të protestuesve të cilët kundërshtojnë para se gjithash vendimin e presidentin për falje si dhe atë për mbajtjen e zgjedhjeve pa plotësimin e kushteve.

Por, krahas protestave të tillë të sektorit civil që mbështeten nga opozita, nga nesër rikthehen edhe kundër-protestat që kanë mbështetjen e VMRO-së së Nikolla Gruevskit.

Madje, organizatorët e tyre kanë paralajmëruar qërim hesapesh me protestuesit opozitarë të cilët akuzohen për rrënimin e vendit. Nga protestat e deritanishme janë lënduar dhjetëra persona ndërsa është demoluar edhe zyra për pritje e presidentit.

XS
SM
MD
LG