Ndërlidhjet

Paradoksi i zgjedhjeve serbe: Edhe BE-në, edhe Rusinë


Grafit në Beograd
Grafit në Beograd

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ish-ultranacionalist, i cili ka heshtur retorikën e tij ndezëse pas rënies së Millosheviqit, ka pozicion të rehatshëm përpara zgjedhjeve të së dielës në Serbi.

Ai i ka sjellë aleatët e tij në prag të një shumice të majme në legjislaturën serbe.

Vuçiq ka lavdëruar kriminelët serbë të luftës, edhe pse është shprehur krenar me politikat e tij të moderuara.

Vuçiq po ashtu ka premtuar se do ta udhëheqë Serbinë drejt Bashkimit Evropian, por në të njëjtën kohë i ruan lidhjet e thella historike të Serbisë me Rusinë.

“Kur Vuçiq thotë të zgjedhim midis së kaluarës dhe të tashmes, ai mendon të zgjedhim midis ‘së kaluarës sime dhe të ardhmes sime’. Ai thotë se ‘mund të bëhet përsëri ultra-nacionalist si Vojisllav Shesheli’ nëse ‘ju nuk doni që ai të bëhet evropian”, thotë Ollga Beçkoviq, analiste e pavarur politike në Serbi.

Vuçiq ka qenë i bindur në popullaritetin e tij kur ka shpallur zgjedhjet dy vjet përpara kohe, në përpjekje për të forcuar dominimin e tij në skenën politike të Serbisë. Partia e tij Përparimtare Serbi dhe partnerët e tij të koalicionit kanë pasur pak më pak se një shumicë prej dy të tretash në zgjedhjet e fundit më 2014.

Vuçiq, ish-ministër për Informacion gjatë regjimit të Millosheviqit, i ka përshkruar zgjedhjet e 24 prillit si një moment për serbët që të zgjedhin nëse duan t’i kthehen së kaluarës apo duan të ecin përpara drejt së ardhmes së re.

Ai ka thënë se do të përdorë bazën e fortë parlamentare, për të anëtarësuar Serbinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2020.

Por, ajo çfarë do të bëjë në fakt Vuçiq, është vështirë të dihet, sepse dy vjetët e tij të parë si kryeministër kanë qenë të mbushur me kundërthënie.

Prejse është bërë kryeministër në vitin 2014, me premtimet se do të trajtojë korrupsionin endemik dhe do ta lëvizë Serbinë drejt Perëndimit, Vuçiq ka nisur negociatat zyrtare për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe është zotuar se do të bashkëpunojë për të qetësuar tensionet me Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Por, Vuçiq ka ruajtur pëlqimin edhe tek ata qytetarë që dyshojnë te Perëndimi, duke u zotuar se do ta mbajë Serbinë pranë partnerit të saj historik – Rusisë. Ai i ka thelluar marrëdhëniet e ngushta me Moskën, duke refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë.

Këto akte balancuese të Vuçiqit mund të kenë shkaktuar konfuzion te shumë serbë: ku qëndron e ardhmja e Serbisë? Në lindje apo në perëndim?

Një sondazh i opinionit, i kryer në muajin shkurt, ka treguar se 70 për qind e të anketuarve, të moshës midis 18 dhe 35 vjeç, kanë thënë se duan të punojnë në BE dhe të gëzojnë përfitimet shëndetësore që kanë njerëzit atje.

Por, 65 për qind e të anketuarve kanë miratuar politikën e jashtme të Rusisë dhe më shumë se gjysma kanë thënë se do të donin të kishin një bazë ushtarake ruse në Serbi.

Disa nga arsyet për ndjenjat e tilla mund të jenë historike, përfshirë rezervat rreth Perëndimit që kanë mbetur nga koha e bombardimit të NATO-s në Serbi, më 1999, për të ndalur luftën në Kosovë.

Një pjesë e rritjes së euro-skepticizmit mund të pasqyrojë thjesht BE-në, në kohën e problemeve ekonomike të bllokut evropian, krizës me migrantë dhe mundësisë së daljes së Britanisë nga BE-ja.

Por, shumë vëzhgues fajësojnë Vuçiqin për vënien në dyshim të vlerave të BE-së.

“Kemi këtë situatë paradoksale, në të cilën, për dy vjet, partitë politike kanë qenë formalisht në favor të integrimit në BE, por mbështetja publike ka rënë në mënyrë të konsiderueshme”, thotë Jellena Milliq, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd.

Një tjetër sondazh i opinionit, i kryer në muajin shkurt, ka treguar se 48 për qind e serbëve do të mbështesnin anëtarësimin në BE, krahasuar me 51 për qind sa kanë qenë në vitin 2014.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG