Ndërlidhjet

Kosova bën pak për fëmijët me aftësi të kufizuara


Ilustrim
Ilustrim

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, në Kosovë, llogaritet se jetojnë rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuara. Prej tyre, rreth gjysma, vlerësohet të jenë fëmijë.

Një hulumtim i bërë nga “Save the Children” në 18 vende të botës mbi çështjen e diskriminimit të kësaj kategorie të shoqërisë, del se mbi 40 për qind e të rriturve në mbarë botën kanë qenë të diskriminuar si fëmijë për shkak të gjinisë së tyre, përkatësisë së tyre etnike ose fetare apo aftësisë së kufizuar.

“Save the Children” në Kosovë është gjithashtu pjesë e kësaj fushate globale.

Melita Kabashi nga kjo organizatë, ka folur për gjendjen aktuale të fëmijëve kosovarë me aftësi të kufizuara në disa sfera, e që sipas hulumtimit dhe statistikave që posedon ky institucion nuk është e mirë.

“Në Kosovë vlerësohet se rreth 150 mijë njerëz kanë aftësi të kufizuara, ku rreth gjysma e tyre vlerësohet të jenë fëmijë. Rreth 10 për qind e fëmijëve përfitojnë nga shërbimet cilësore duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale".

"Numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë pjesë e sistemit shkollor janë rreth 5 mijë, e që në përqindje i bie rreth 6 për qind. Derisa edhe ata që janë në shkolla ofrimi i arsimimit cilësor nuk është i bazuar në nevojat e tyre individuale”, ka thënë Kabashi.

Kurse, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk gëzojnë plotësisht të drejtat që u takojnë qoftë me Konventën Ndërkombëtare apo me legjislacionin në fuqi në Kosovë.

Zonja Kelmendi shton se ka ngecje si ne fushën e arsimimit, atë shëndetësore e po ashtu edhe në fushën e shërbimeve sociale.

“Qeveria e Kosovës duhet të investojë duke bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe atë arsimor”, ka thënë Kelmendi.

Zonja Kabashi ndërkaq shton se nevojat arsimore dhe individuale të fëmijëve me aftësi të kufizuara, nuk janë të zhvilluara në Kosovë dhe se një numër i madh i fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk janë të identifikuar para se të regjistrohen në shkolla.

“Mendoj që identifikimi i hershëm i fëmijëve me aftësi të kufizuara është i domosdoshëm, në mënyrë që të jenë pjesë e shoqërisë dhe të fuqizohen që të arrijnë potencialin e tyre. Sa u përket institucioneve, alokimi i buxhetit është i pamjaftueshëm, dhe hulumtimi që është bërë nga “Save the Children” e tregon që grupet më të diskriminuara janë anashkaluar vazhdimisht".

"Kjo gjendje po shihet që është ekzistente në Kosovë, pasi investimi nuk është duke shkuar tek fëmijët. Në bazë të statistikave që ne i kemi, vetëm 3.8 e buxhetit të përgjithshëm është ndarë për fëmijët”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, zonja Kelmendi ka deklaruar se institucionet relevante duhet bërë më shumë për mirëqenien e fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë në nevojë.

“Ministria e Shëndetësisë do duhej të sigurojë shërbime cilësore shëndetësore,si dhe pajisjet ndihmëse ë do të ofroheshin për fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjithashtu Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet të fillojë sa më shpejtë plotësim-ndryshimin e ligjit për përkrahje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara".

"Mendoj se duhet pasur edhe Qendra për qëndrim ditor, për këta fëmijë. Ministria e Arisimit Shkencës e Teknologjisë dhe Komunat duhet të investojnë në rritjen e cilësisë në arsim gjithpërfshirës, e po ashtu edhe në rritjen e numrit të mësimdhënësve”, ka thënë Kelmendi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, zyrtari për informim Shpend Fazliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shërbime specifike për fëmijët me nevoja të veçanta nuk ka në Qendrën Klinike, derisa shton se është reparti i ortopedisë i vetmi që mund të ofrojë shërbime më specifike për këta fëmijë.

“Brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, nuk ka shërbime specifike. Ne jemi institucion që ofrojmë ndihmën shëndetësore, dhe gjithë ata fëmijë me aftësi të kufizuara që vijnë për të kërkuar shërbime shëndetësore , ne mundohemi aq sa lejojnë kushtet dhe rrethanat tu ofrojmë. Por, ne nuk kemi shërbime të veçanta për këtë kategori të shoqërisë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë në Qeverinë e Kosovës, në zyrën për qeverisje të mirë, Habit Hajredini ka thënë për Radion Evropa e Lirë në prill të këtij viti se gjendja aktuale e personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi lë për të dëshiruar, ndonëse ndër vite është punuar për këtë kategori të shoqërisë.

“Gjendja aktuale e personave me aftësi të kufizuara nuk është e kënaqshme dhe nuk është e mirë, ndonëse ka lëvizje pozitive. Edhe pse janë hartuar politika adekuate që adresojnë çështje për të drejtat e tyre, ende ka sfida në progresin e mirëfilltë. Ajo që ne e shohim si lëvizje pozitive, e kemi arritur në disa pika, si tek personat e shurdhër, ku është bërë funksionale gjuha e shenjave’’.

Sidoqoftë, bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë jetojnë me aftësi të kufizuara, atëherë del se në Kosovë janë rreth 150 mijë deri në 255 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

XS
SM
MD
LG