Ndërlidhjet

Avramopoulos: Të forcohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit


Komsioneri i BE-së për çështje te brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos i tha Radios Evropa e Lirë se deri në miratimin e plotë të propozimit për heqjen e vizave, Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacion dhe të shtojë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se çështja e migrimit ilegal duhet të adresohet dhe BE-ja ka mekanizma të saj për rivendosjen e përkohshme të vizave për shtetasit e një vendi përfitues, në rast të shtimit të madh dhe të papritur të migrimit ilegal nga ai vend.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Avramopoulos, çfarë rekomandimi ka Komisioni për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave?

Dimitris Avramopoulos: Ne po e vazhdojmë përkushtimin tonë për të propozuar udhëtimin e lirë pa viza në Bashkimin Evropian, për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Kjo do të lehtësojë kontaktet ndërmjet njerëzve, do të forcojë lidhjet afariste, kulturore e sociale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është edhe qëllimi. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të rënda dhe gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme dhe madje edhe përtej kësaj, siç janë fushat me ndikim ajo e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe reforma në drejtësi.

Duhet të përgëzojmë Kosovën për këto arritje. Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat nga udhëzuesi për liberalizim të vizave duke marrë parasysh se me miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, siç e dini janë edhe dy hapa përpara, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të forcojë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E di se sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës dhe siç e thash edhe në fillim jam i kënaqur me përparimin e arritur dhe shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë së shpejti propozimin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat kritere mbizotëruese ju bënë që ta hapni dritën e gjelbër për Kosovën?

Dimitris Avramopoulos: Unë e sqarova se çfarë ka bërë Kosova. Kishte përkushtim. Ky përkushtim ishte plotësisht i përmbushur nga Kosova dhe tani, meqë të gjitha kërkesat dhe standardet janë arritur, në mund të ecim tutje me liberalizim të vizave. Tani, çështjet e hapura që duhet të zgjidhen janë dy. E para, ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, dhe forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe, Komisioni do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e këtyre kërkesave përmes mekanizmave pas liberalizimit të vizave që tashmë janë të vendosura për vendet e tjera të Ballkanit, qytetarët e të cilave gëzojnë udhëtimin e lirë pa viza në Bashkimin Evropian.

Kosova duhet të përmbushet me miratimin e propozimit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, dhe siç e dini miratohet me votën e shumicës së kualifikuar. Pra, nuk ka nevojë për unanimitet. Sa i përket sigurisë, Komisioni do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe ne tashmë kemi mekanizma të kontrollit që janë aplikuar edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përpjekjet për liberalizimin e vizave gjithashtu duhet të shihen edhe si pjesë e qasjes sonë të gjerë për migrimin, sigurinë dhe kufijtë. Një gjë tjetër është edhe migrimi jo i rregullt për Kosovën dhe këtë dua ta përkujtojë. Rregullorja e vizave ofron mekanizmin e suspendimit që i mundëson Bashkimit Evropian që përkohësisht të rivendos kërkesën për viza për shtetasit e një vendi përfitues, në rast të shtimit të madh dhe të papritur të migrimit ilegal nga ai vend.

Komisioni do të kërkojë që të forcohet ky mekanizëm. Përgjithësisht është arritur niveli dhe natyrisht ka edhe kërkesa tjera për t’u përmbushur, por unë jam i sigurt se autoritetet në Kosovë do të vazhdojnë që të punojnë vazhdimisht me qëllim të përmbushjes së tyre. Kjo është një ditë shumë e mirë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, dhe edhe njëherë dua të përgëzojë autoritetet në Kosovë për punën e madhe gjatë muajve të fundit me qëllim të arritjes së këtij momenti. Dhe në një mënyrë them se jam edhe personalisht i gëzuar sepse kemi punuar së bashku me autoritetet në Kosovë dhe tani është momenti për të paralajmëruar rezultatet e përpjekjeve të përbashkëta.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët dy çështje thelbësore; migrimi ilegal dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E para, migrimi ilegal. Çka ju kanë siguruar autoritetet në Kosovë për këtë çështje, marrë parasysh valën e ikjeve vitin e kaluar?

Dimitris Avramopoulos: Vazhdimisht kemi marrë konfirmime dhe sigurime nga autoritetet e Kosovës se do të punojnë ngushtë me ne për të adresuar këto çështje. Siç jeni në dijeni, ne kemi miratuar politikat për migrimin dhe refugjatë dhe të gjitha vendet e përfshira, duke mos përjashtuar këtu edhe vendet jo anëtare të BE-së, duhet t’i përmbahen vijave të përcaktuara. E thash se jemi të bindur se Kosova do t’u përmbahet këtyre vijave. E dini, se ne kemi paraqitur propozimin tonë të ripunuar për sistemin e hyrjes dhe daljes në BE të shtetasve të vendeve të treta që kalojnë përmes kufijve tanë një lloj sistemi i ngjashëm më atë në SHBA. Pra, udhëtarët do të regjistrojnë informatat relevante për qëndrimin e tyre në BE. Kosova natyrisht do të jetë pjesë e kësaj.

Radio Evropa e Lirë: Në çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, çka konkretisht i keni kërkuar Kosovës?

Dimitris Avramopoulos: Autoritetet në Kosovë janë të vetëdijshme se të gjithë e dinë se ka ende probleme. Ministri i brendshëm i Kosovës dhe autoritetet e sigurisë janë në kontakt me mekanizmat tanë relevantë dhe po bashkëpunojnë në adresimin e këtyre sfidave të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar. E dini se në Ballkan ka ende bërthama të krimit të organizuar që duhet ç'rrënjosur. Pra të gjithë së bashku, me ndihma dhe mbështetjen e BE-së ne mund ta bëjmë. Pjesa më e rëndësishme në këtë çështje është përkushtimi i qeverisë së Kosovës që të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe ne jemi këtu që të mbështesim Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Çka po kërkoni saktësisht në fushën e fuqizimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Dimitris Avramopoulos: Mos harroni unë nuk jam anëtar i Qeverisë së Kosovës. Jam këtu t’i ofrojë Kosovës mbështetjen me qëllim të përmbushjes së kësaj detyre. Jam i sigurt se qeveria e Kosovës dhe organet e rendit janë plotësisht të vetëdijshme se si është gjendja brenda vendit. Ne jemi këtu t’i ofrojmë Kosovës mbështetjen dhe ndihmën tonë dhe natyrisht të veprojmë së bashku me përkushtimin tonë në luftën kundër korrupsionit. Mos harroni se BE-ja nuk subvencionon qeveritë lokale dhe autoritetet lokale në ndërmarrjet që të adresojnë çështjet si kjo.

Radio Evropa e Lirë: Qytetarëve të Kosovës ju intereson se kur do të udhëtojnë pa viza, të lirë?

Dimitris Avramopoulos: Sa më shpejtë që propozimi ynë të jetë miratuar nga Parlamenti Evropian dhe të jetë ratifikuar pastaj nga Këshilli. Është çështje javësh për të finalizuar gjithë procedurat. Hapi më i rëndësishëm tashmë është bërë dhe unë besoj se hapat e tjerë do të jenë po aq të suksesshëm. Pra, i mbetet Parlamentit dhe Këshillit të vendosin. Ne e kemi hapur derën, ne kemi treguar rrugën dhe ne jemi të gatshëm që të jemi aty, pra në Parlament dhe në Këshill, me qëllim të mbështetjes së propozimit tonë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe më lejoni; sfidat e sigurisë në Evropë e në Ballkanin Perëndimor. Po aq sa edhe çështje të sigurisë për Kosovën. Ku është ajo sot në këto sfida të sigurisë, në rastin e ekstremizmit dhe të radikalizmit?

Dimitris Avramopoulos: Ju bëtë shumë mirë që ma shtruat këtë pyetje, sepse personalisht e besoj dhe ne të gjithë jemi të bindur, se Kosova është e përkushtuar, që së bashku me ne ta adresojë këtë çështje dhe të luftojë fenomenin e luftëtarëve te huaj dhe radikalizmin.

Në vjeshtë do të vijmë me propozim për këtë çështje. Por, lufta kundër luftëtarëve të huaj dhe terrorizmit nuk është çështje vetëm e Ballkanit dhe Evropës, por është çështje globale. Ne duhet të bashkojmë forcat tona dhe Kosova mund të luaj një rol të rëndësishëm. Mos harroni se ne kemi krijuar edhe rrjetet e vetëdijesimit për radikalizim dhe njëkohësisht e kemi edhe qendrën kundër terrorizmit në EUROPOL.

Ne i kemi lidhur autoritetet e Kosovës me agjencitë tona dhe qendrat tona. Bashkëpunimi është i mirë dhe të gjithë jemi ne të njëjtën anë. Dhe jemi të gjithë të përkushtuar që ta mundim këtë fenomen që është i pranishëm në shoqëritë tona, në kulturat tona dhe jetët tona. Ne të gjithë jemi në të njëjtën anë dhe Kosova në luftën e saj kundër këtij fenomeni nuk është e vetme sepse ka mbështetjen tonë, të politikave tona, njerëzve dhe agjencive tona.

XS
SM
MD
LG