Ndërlidhjet

Liberalizimi gëzon pacientët që kërkojnë shërimin jashtë Kosovës


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe qytetarët, kanë mirëpritur propozimin e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Përveç përfitimeve që qytetarët e Kosovës do t'i kenë në lëvizjen e lirë, edhe pacientët të cilët janë të detyruar që shërimin ta kërkojnë jashtë vendit, i janë gëzuar këtij lajmi.

Zyrtarë qeveritarë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë pasur shumë raste kur me rekomandimin e mjekut pacientëve iu është dashur të udhëtojnë jashtë vendit për shërbime të caktuara shëndetësore. Por shpeshherë vështirësitë në marrjen e vizave ua kanë pamundësuar udhëtimin jashtë Kosovës.

Mimoza Ahmeti, është një familjare e pacientit të sëmurë nga veshkat. Ajo thotë se në mungesë të marrjes së shërbimeve adekuate shëndetësore në Kosovë, kanë vendosur që babanë e saj ta dërgojnë në Zvicër për trajtim. Por, pacienti është refuzuar nga ambasada ku ai ka aplikuar.

“Neve në familje personalisht na ka ndodhur të refuzohemi nga ambasada,ku kemi aplikuar për vizë, ndonëse kemi aplikuar për trajtim shëndetësorë. Babai im është refuzuar tri herë, dhe më pas na ka ikur termini në spitalin ku ai ka dashur të bëjë transplantimin e veshkës”, ka thënë Ahmeti.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se ka pasur raste të shumta që pacientët ndonëse me rekomandim të mjekut, janë refuzuar nga ambasadat dhe nuk kanë marrë trajtimet adekuate në mungesë të atyre shërbimeve brenda Kosovës.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën përveç që lejon qarkullimin e lirë për qytetarët në përgjithësi, në veçanti gëzon pacientët që kërkojnë ndihmë shëndetësore jashtë vendit. Këta pacientë shpesh ndonëse u është dashur të udhëtojnë për shërim, por iu është refuzuar viza. Rasti konkret është para një jave, me arsyetimin e ambasadës se fondet e saj nuk kanë qenë të mjaftueshme”, ka thënë Sadiku.

“Shpeshherë ndonëse është bërë termini me mjekë në vende të caktuara, iu ka humbur termini për shkak të vonesës së marrjes së vizave”, ka vijuar ai.

Tutje Sadiku thotë se problemi me vizat ka dështuar edhe marrëveshjen ndërshtetërore për dërgimin e pacientëve në shtetet evropiane.

“Një shembull që do ta marr si dështim është ai me shtetin e Kroacisë. Ndonëse ata kanë dashur të bashkëpunojnë dhe tu ofrojnë shërbime pacientëve kosovarë, këtë marrëveshje e kanë ndërprerë kur i kanë kuptuar që vështirësitë për marrjen e vizave për të hyrë në këtë shtet”, ka thënë ai.

Një problem tjetër mbetet edhe mungesa e miratimit të ligjit për Sigurime Shëndetësore. Ndonëse kosovarët do të udhëtojnë së shpejti pa viza në zonën Schengen, sigurimet shëndetësore do t'i blejnë siç ka ndodhur me vite.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, ka thënë se në mungesë të sigurimeve shëndetësore, pacientët që udhëtojnë jashtë vendit, por edhe gjithë qytetarët, do t'i blejnë sigurimet shëndetësore siç i kanë paguar deri tani.

XS
SM
MD
LG