Ndërlidhjet

Maqedonia në prag të përshkallëzimit


Protesta në Shkup, 16 Maj 2016
Protesta në Shkup, 16 Maj 2016

Maqedonia rrezikon të futet në një fazë tejet kritike në aspektin e sigurisë, kanë thënë ekspertë të fushës së sigurisë në vend, duke numëruar shkaktarët që ndikojnë në këtë fushë, në mes tjerash: humbja e besimit në faktorin politik, shtimi i intenzitetit të protestave kundër politikave të pushtetit dhe rrjedhimisht edhe bllokimi i institucioneve.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, aktualisht deputet, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës, thotë se situata e sigurisë mund të eskalojë nëse nuk mblidhet parlamenti dhe njehërësh nuk shfuqizohet vendimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për faljen e politikanëve të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë për vepra të rënda penale.

“Të gjitha institucionet shtetërore mbahen të bllokuara nga VMRO DPMNE dhe kjo pamundëson që ata të reagojnë ndaj situatave të caktuara, përkatësisht sfidave para të cilave ndodhet Maqedonia si shtet. Kemi një situatë ku është shkelur kushtetuta me vendimin e presidentit Gjorge Ivanov që të falë politikanët, njëkohësisht caktimi i zgjedhjeve më 5 qershor, në formën si u shpërbë parlamenti, që gjithashtu është antikushtetuese."

"Pa u shfuqizuar abolicioni i presidentit Ivanov si dhe pa u shtyer data e zgjedhjeve duket se protestat do të marrin dhe më shumë intensitet, dhe me këtë edhe situata e sigurisë pritet që të eskalojë, duke e çuar vendin në një rrugë të pakrye”, nënvizon Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Qebir Avziu, profesor universitar, si shqetësim ngre prezencën shumë të ulët të shqiptarëve në strukturat udhëheqëse të forcave të sigurisë.

“Shqiptarët nuk janë aspak të pranishëm ku është koncentruar pushteti i forcave të sigurisë. Me vat faktin se shqiptarët nuk janë të pranishëm në strukturat udhëheqëse të sigurisë do të thotë se të gjithë ne nuk mund të jemi të sigurt. Në një situatë të këtillë, e tërë siguria e popullatës shqiptare, po edhe e Maqedonisë si shtet, varet nga pala tjetër, ajo maqedonase."

"Ne si shqiptarë nuk jemi të pranishëm fare ose shumë pak jemi të pranishëm tek forcat speciale të Maqedonisë, jo vetëm në strukturat vendimmarrëse, po edhe në strukturat më të ulta, ndërkohë është e ditur se siguria e vendit varet pikërisht nga këto struktura, përkatësisht njësitë e policisë; kështu që, ne si shqiptarë më së paku jemi të informuar për intervenimet, përkatësisht aksionet policore të cilat merren për sigurinë e vendit”, thekson Qebir Avziu, ligjërues i Shkencave të Sigurisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertët e sigurisë gjithashtu theksojnë se siguria e Maqedonisë si shtet dhe qytetarëve të saj është e cenuar krahas ngjarjeve të cilat aktualisht ndodhin në vend, rrjedha e të cilave nuk dihet, dhe si pasojë e paralelizmit të krijuar brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht ministrit Olive Spasovki nga radhët e opozitës maqedonase, përkatësisht Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë dhe zëvendësit të tij, zëvendësminsitrit Mitko Cavkov nga radhët e partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Edhe vet ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e dikasterit që përfaqëson, pas marrjes së një pjese të kompetencave nga ana e Qeverisë së Maqedonisë.

Ai paraqiti dorëheqjen, e cila nuk u pranua, ndërkohë që në krye të dikasterit të policisë qëndron me kompetenca të redukuara nga ana e Qeverisë.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve të sigurisë, Qebir Avziu dhe Pavle Trajanov, thonë se shpresë e vetme për ruajtjen e stabilitetit të vendit mbetet reagimi i fuqishëm nga ana e faktorit ndërkombëtar për shtyrjen e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie teknike në nivel ekspertësh, e cila pos përgatitjes së vendit për zgjedhje të besueshme, do të ketë për detyrë t'i çlirojë institucionet nga ngulfatja e politikës dhe me këtë të ndikojë pozitivisht edhe në situatën e sigurisë në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG