Ndërlidhjet

Liderët e Ballkanit zotohen për dialog dhe pajtim


Takimi i liderëve të rajonit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Takimi i liderëve të rajonit

Në Sarajevë ka përmbyllur punimet Samiti i Presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni, nën organizmin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës. Udhëheqësit e vendeve të rajonit u zotuan për bashkëpunimin e tyre për t’u përballur me sfidat që kërcënojnë gjithë rajonin.

Në një deklaratë të përbashkët, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentët e vendeve të rajonit “u zotuan për dialog, mirëkuptim, pajtim dhe besim...” dhe gjithashtu thuhet se “liderët shprehin përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar në përballjen me sfidat që e kërcënojnë rajonin dhe për të tejkaluar armiqësitë e shekullit të kaluar, për barazi dhe zhvillim dhe për të përkrahur njëri-tjetrin në proceset integruese”.

Në takimin e Presidentëve u theksua nevoja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe mbështetjes për proceset integruese euro-atlantike si dhe domosdoshmëria e ruajtjes dhe thellimit të dialogut për zgjidhjen e çështjeve të hapura si dhe nxitjen e pajtimi ndërmjet popujve në rajonin e Ballkanit.

Në samit janë prekur edhe çështjet e tjera të hapura në rajon dhe sfidat në fushën e sigurisë, në veçanti kërcënimet radikale e ekstremiste.

Presidenti Thaçi në fjalën e tij, transmeton Zyra e Presidentit, ka theksuar se ka ardhur koha e “ndërtimit të besimit mes popujve dhe vendeve të rajonit të Ballkanit” dhe se e ardhmja e tij është në “pajtim, mirëbesim, miqësi, bashkëpunim dhe integrim”.

Samiti i Presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor kësaj radhe u zhvillua në Sarajevë dhe në të morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe mikpritësi Presidenca e Bosnjë Hercegovinës.

Mysafir nderi në Samitin e Sarajevës ishte Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ndërkohë që ai u zhvillua në kuadër të Samitit 100 të liderëve të biznesit në Evropën Juglindore, që thekson nevojën e bashkëpunimit në rajon për zhvillim ekonomik të të gjitha vendeve.

Samiti i Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjes së dialogut politik të rajonit të Ballkanit dhe BE-së. (REL)

XS
SM
MD
LG