Ndërlidhjet

Maqedoni: Bie interesimi për t’u marrë me blegtori


Maqedoni
Maqedoni

Në Maqedoni, numri i deleve, krahasuar me vitin e kaluar është ulur për 5.8 për qind. Derisa gjatë vitit 2014, kishte 740 mijë dele, gjatë vitit 2015 ky numër është ulur në 733 mijë dele, ndërkohë që 11 vjet më parë përkatësisht gjatë vitit 2004 në Maqedoni kishte 1 milion e 400 mijë kokë delesh.

Në afërsi të fshatit Galiçnik, rrëzë malit të Pelisterit në kufi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhjetë kilometra larg liqenit të Mavrovës, në lartësi mbidetare mbi 1 mijë e 400 metra, takojmë Kadriun, i cili punon më shumë se dhjetë vjet si bari.

Bisedën me ne e fillon me të qeshur, thotë se puna e bariut “nuk është vetëm t’i bjerë fyellit”.

“Puna e bariut është e vështirë, veçanërisht nëse je fillestar nuk e njeh këtë punë. Dita si bari këtu fillon me shumë obligime, fillon me kohën e mjeljes, pastaj kujdesi për delet pritet të lindin qengjat ose të vegjlit që kanë një trajtim tjetër, madje duhet të dish se si dhe ku ta kullosësh kopenë për të dhënë më shumë qumësht”, rrëfen Kadriu.

Ai tregon se puna këtu është më fitimprurëse sesa ku ka punuar në qytet, andaj bashkë me 9 barinj të tjerë kujdeset për kopenë e pronarit të tij që numëron 2 mijë e 800 dele.

“Si pagë mujore këtu, paguhem nga 300 deri 350 euro, varësisht nga sezoni dhe obligimet, dhe të gjitha paratë i çoj në shtëpi, sepse s’kam harxhime, për ushqimin kujdeset pronari. Këtu lart ajri është më i pastër, puna nuk është stresuese. Takoj dhe shumë turistë dhe shoh që të paktën disa orë të jem në ato kodrina ku ka qasje në internet për të komunikuar me botën”, thotë Kadriu rreth të tridhjetave.

Qeveria e Maqedonisë thotë se në kuadër të politikave shtetërore është rritja e vazhdueshme e subvencioneve për këtë sektor, por blegtorët thonë mungesa e një tregu të sigurt për prodhimet e qumështit dhe mishit, kanë bërë që të zvogëlojnë numrin e deleve.

Ndërkohë, ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në prill të këtij viti ka theksuar se krahas subvencioneve që ndan Qeveria e Maqedonisë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, do të realizohet dhe projekti i partisë që drejton, përkatësisht VMRO DPMNE-së, për stimulimin e kthimit të të rinjve nga qyteti në fshatra

Ky projekt, ka theksuar Gruevski, do të fillojë të realizohet nga fillimi i vitit të ardhshëm, duke subvencionuar shpenzimit për blerje, riparim apo ndërtim të shtëpisë në fshat, në vlerë deri 6 mijë euro, benefite për tokë shtetërore, përkatësisht duke u falur deri tre hektarë tokë, si dhe subvencion në mjete materiale deri në 15 mijë denarë, përkatësisht rreth 245 euro gjatë18 muajve.

“Shfrytëzues të këtij projekti do të mund të jenë personat, të cilët paraprakisht kanë migruar nga fshati në qytet dhe ende kanë pronë në fshat, të cilët kanë migruar, por nuk e kanë ruajtur pronën në fshat, si dhe persona të papunë nga qyteti, apo, ndërkaq, të punësuar por me të ardhura shumë të ulëta, përkatësisht me gjithsej neto pagë mujore të tërë familjes prej 21 mijë e 800 denarë përkatësisht rreth 350 euro ”, ka theksuar Gruevski.

Por, ish-zëvendësministri i Bujqësisë Lubco Nkollovski nga radhët e partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social-Demokrate,i cili u shkarkua nga detyra gjatë muajit të kaluar, për Radion Evropa e Lirë thotë se Qeveria ndan mjete jo për bujqit dhe për blegtorët, por për personat që janë të afërt me pushtetin.

“Çështja është se në duart e kujt shkojnë subvencionet që i ndan Qeveria e Maqedonisë për zhvillimin e bujqësisë. Më duhet të theksoj se subvencionet në Maqedoni, nuk paraqesin stimul për blegtorët, sepse këto mjete fatkeqësisht nuk shkojnë në duart e blegtorëve të vërtetë, por në duart e personave të caktuar të afërt me pushtetin”.

“Ministria e resorit në vazhdimësi fsheh të dhënat se si shpenzohen 100 milionë eurot për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, andaj Maqedonia si shtet, ul prodhimin dhe rrit importin e prodhimeve të qumështit dhe mishit, ndërkohë që ndahen gjithnjë e më shumë mjete për zhvillimin e këtij sektori”, thekson Lubço Nikollovski, zv.ministër i Bujqësisë.

Nikollovski bën të ditur se përimportin e prodhimeve ushqimore ku bëjnë pjesë dhe prodhimet e qumështit dhe mishit, si dhe kafshët e gjalla, Maqedonia vitin e kaluar ka shpenzuar 551 milionë euro. Kjo shifër është thuajse dy herë më e lartë se në vitin 2006, kur vendi ka importuar ushqim në vlerë prej 288 milionë eurosh.

XS
SM
MD
LG