Ndërlidhjet

Lista e votuesve pa kalkulime politike


Marrëveshja politike e arritur ndërmjet forcave politike në vend, parasheh që rreth 170 mijë persona me të drejtë vote, që gjenden jashtë Maqedonisë do të vendosen në një listë të veçantë të votuesve duke mos e kontestuar të drejtën e tyre për të votuar.

Rreth 40 mijë persona të tjerë të cilët gjithashtu jetojnë jashtë vendit do të duhet të paraqiten personalisht ose përmes video konferencave brenda 25 ditëve për të verifikuar të drejtën e votës, në të kundërtën ata do të fshihen nga regjistri zgjedhor.

Ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me miratimin e reformave që dalin nga marrëveshja e arritur të mërkurën, pritet që të hyjnë së shpejti në procedurë parlamentare.

Partitë politike shqiptare të cilat kanë marrë pjesë në bisedime për arritjen e marrëveshjes në fjalë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike shqiptare thonë se nuk do t’i vihet në pikëpyetje e drejta e votës asnjë mërgimtari shqiptar.

Përderisa partitë shqiptare të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament thonë se me vendosjen e mërgimtarëve në një listë të posaçme shkelet Kushtetuta e Maqedonisë, meqë thuhet se të gjithë qytetarët e Maqedonisë në mënyrë të barabartë kanë të drejtë vote.

Ndërkaq Darko Aleksov nga asociacioni MOST, që ka monitoruar dhjetëra cikle zgjedhore në Maqedoni thotë se për të pasur një listë të besueshme të votuesve si e para dhe më kryesorja anëtarët e Komisionit Zgjedhor duhet të shmangin interesat e partive që përfaqësojnë dhe të gjitha problemet që detektohen në regjistrin zgjedhor të trajtohen seriozisht.

“Përderisa nuk arrihet një koncept që lista e votuesve të trajtohet si operacion statistikor, matematikor dhe demografik dhe në asnjë mënyre nuk do të trajtohet si lojë e skenës politike në Maqedoni regjistri votues nuk do të jetë i besueshëm dhe kjo rrënon dhe besueshmërinë e proceseve zgjedhore”, thekson Aleksov.

Përderisa Xhabir Deralla nga lëvizja qytetare CIVIL e cila gjithashtu ka monitoruar disa procese zgjedhore gjatë dekadës së fundit, konsideron se me marrëveshjen e arritur politike të së mërkurës është bërë një hap i vogël pozitiv, por i pa mjaftueshëm që të kthehet besimi i qytetarëve tek lista e votuesve nëse politika nuk heq dorë nga influenca ndaj Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Nuk besoj se gjatë këtij afati të shkurtër kohorë do të kthehet besimi i qytetarëve që ka të bëjë me të dhënat e regjistrit zgjedhorë. Në këtë drejtim do të angazhohemi edhe ne si sektor civil për të ndihmuar pavarësisht kritikave të shumta që marrim nga institucionet shtetërore, megjithatë përmes angazhimit të sektorit civil dhe një transparence të plotë nga ana e KSHZ mund të shënohen përparime të dukshme”, konsideron Xhabir Deralla nga CIVIL duke shprehur besim në kapacitet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por sipas tij problemi qëndron në presionin e politikës ndaj këtij institucioni dhe jo zgjidhjen e problemeve në bazë të ligjeve.

Lista e votuesve ka qenë në shënjestër të kritikave për disa procese zgjedhore sa i përket numrit të personave me të drejtë vote që krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë del me një dallim prej vetëm 200 mijë qytetarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG