Ndërlidhjet

Obama: Trump nuk është i aftë për të shërbyer si president


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka vlerësuar se i nominuari republikan, Donald Trump, nuk është i aftë për të shërbyer si president i Shteteve të Bashkuara.

Obama tha sot në Shtëpinë e Bardhë se sulmet e Trumpit kundër prindërve myslimanë të ushtarit amerikan të vrarë në Irak dhe “fakti se ai duket se nuk ka njohuri bazike” për çështjet e rëndësishme në gjithë botën, e bëjnë atë “fatkeqësisht të papërgatitur” për të qenë president.

Obama tha se ai e ka përmendur javën e kaluar se Trump nuk është i gatshëm për të qenë president dhe ka shtuar se ndërmarrësi i pasur dhe ish-ylli i programeve reale televizive, vazhdon “ta dëshmoj këtë “.

Presidenti amerikan, Barack Obama, po ashtu, i ka kritikuar liderët republikanë, për të cilët tha se vazhdimisht i kanë denoncuar deklaratat dhe aksionet e Trumpit, por vazhdojnë ta mbështesin atë për president.

“Duhet të ekzistoj pika ku ju thoni se ky nuk është dikush që unë e mbështes për president të Shteteve të Bashkuara”, tha Obama.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 8 nëntor.

Në hulumtimet e opinionit, e nominuara demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, aktualisht ka një epërsi të vogël ndaj Donald Trumpit.

XS
SM
MD
LG