Ndërlidhjet

Përfundon Olimpiada e Rios


Ceremonia e mbylljes në RIO
Ceremonia e mbylljes në RIO

Lojërat Olimpike kanë përfunduar me një ceremoni të inspiruar nga karnavalet e Rios, në stadiumin Maracana.

Rreth 50 mijë spektatorë kanë shkuar në këtë stadium për të parë ceremoninë përmbyllëse të Brazilit, pavarësisht motit të keq me erëra të fuqishme dhe shiun që binte pandalur.

Ceremonia përfshinte edhe parakalimin e atletëve dhe dorëzimin simbolik të flamurit olimpik te organizatorët e Olimpiadës së ardhshme, që do të mbahet në Tokio të Japonisë, më 2020.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, edhe zyrtarisht e ka mbyllur Olimpiadën e parë që është mbajtur ndonjëherë në Amerikën Jugore.

Në Olimpiadën e Rios kanë marrë pjesë mbi 11, 300 atletë nga 206 kombësi dhe ekipi i parë i përbërë tërësisht nga refugjatët.

“Kjo ishte një Olimpiadë mahnitëse e mbajtur në një qytet mahnitës”, ka thënë Bach para se zjarri në kazanin olimpik të shuhej. “Gjatë 16 ditëve, një Brazil i unifikuar e ka frymëzuar botën me dëshirën e parezistueshme për jetë, ndonëse të gjithë ne kemi kaluar kohëra të vështira”, ka vazhduar më tej Bach.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e ka pranuar flamurin nga Presidenti i KON-it, duke sinjalizuar tranzicionin për te Olimpiada e vitit 2020.

Ceremonia përfundimtare përfshinte edhe kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili u paraqit i veshur si personazhi i lojërave kompjuterike, Super Mario.

"Kjo ceremoni ishte mahnitëse. Ishte çdo gjë që Lojërat e vitit 2016 shpërfaqin. Ne kemi organizuar këto Lojëra në një mënyrë të shkëlqyeshme dhe unë jam krenar që kam qenë i angazhuar”, thotë një nga vullnetarët e Olimpiadës.

"Ishte këndshëm, me shumë emocion. Unë erdha me nënën time. Jam shumë krenare që jam braziliane dhe veçanërisht që jam banore e Rios. Ishte çdo gjë bukur”, thotë banorja e Rios, Natasha.

Olimpiada e Rios ka pasur shumë momente që do të mbahen në kujtim, përfshirë edhe kthimin në garë të notuesit amerikan, Michael Phelps, i cili ka fituar pesë medalje të arit dhe një të argjendit.

Phelps ka arritur të thyejë një rekord 2 mijë vjeçar të një atleti në Greqinë antike.

Njeriu më i shpejtë në botë, xhamajkani 30 vjeçar, Usain Bolt, ka fituar tri medalje të arit.

Wayde van Niekerk nga Afrika e Jugut ka pasur një nga paraqitjet më të mira duke thyer rekordin 17 vjeçar të Michael Johnsonit në garën e vrapimit prej 400 metrave.

Gjimnastja amerikane, Simone Biles, ka siguruar katër medalje të arit, brenda vetëm kësaj Olimpiade.

Majlinda Kelmendi, në anën tjetër, ka bërë historinë për Kosovën duke siguruar medaljen e arit në sportin e xhudos për femra, duke u bërë atletja që i siguron medaljen e parë Kosovës në pjesëmarrjen e parë të shtetit më të ri të Evropës në një Olimpiadë.

Parakalimi i Majlinda Kelmendit në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Por, për shumë njerëz , në Brazilin që çmendet pas sportit të futbollit, momenti më i mirë ishte kur Neymar ka shënuar nga penaltia në finalen kundër Gjermanisë, duke ia siguruar kështu ekipit kombëtar medaljen e parë të arit në futboll.

Një moment i pakëndshëm ishte kur egjiptiani Islam el Shehaby ka refuzuar që të shtrëngojë duart me kundërshtarin izraelit, Os Sasson, pasi ka humbur ndaj këtij të fundit.

Por, ndoshta turpërimi më i madh i takon notuesit amerikan, Ryan Lochte, i cili ka pretenduar se ka qenë viktimë e një vjedhje me armë zjarri. Policia më vonë e ka zbuluar se Lochte e ka fabrikuar ngjarjen, pasi ai dhe tre notuesë të tjerë amerikanë e kanë vandalizuar tualetin e një pompe benzine në Rio, derisa kanë qenë në gjendje të dehur.

Olimpiada nuk është prekur nga incidente të mëdha, por shqetësimet rreth sigurisë dhe e tërë historia me doping të atletëve rusë kanë vënë hije mbi këtë ngjarje të madhe sportive.

Humbësi më i madh i kësaj Olimpiade ndoshta është Rusia, e cila ka përfunduar e katërta në tabelën e shteteve me më së shumti medalje të fituara, pas SHBA-ve, Britanisë dhe Kinës.

Atletët rusë do të dërgojnë në vendin e tyre 56 medalje, 19 të arit, 18 të argjendit dhe 19 të bronzit që është shumë më pak se sa 82 medaljet e fituara në Olimpiadën e kaluar të mbajtur në Londër.

Ekipi olimpik rus ka shkuar në Rio me 120 atletë më pak pasi Agjencia Kundër Dopingut, WADA ka akuzuar atletët rusë për abuzim sistematik me substanca të ndaluara.

Ditën e fundit të Olimpiadës së Rios, Uzbekistani ka siguruar dy medalje të arta në boks.

Rusia, ndërkaq, e ka fituar medaljen e pestë të arit radhazi në Olimpiada në sportin e gjimnastikës ritmike.

Rusi, Soslan Ramonov, e ka mundur mundësin nga Azerbajxhani, Togrul Asgarov, në kategorinë prej 65 kilogramëve.

Ekipi amerikan në basketboll e ka mundur Serbinë me rezultat 96 – 66, për të siguruar edhe një medalje ari për SHBA-të.

Ditën e fundit të Olimpiadës së Rios pati edhe momente të pakëndshme, kur dy trajnerë mongolë kanë filluar të zhvishen në shenjë proteste, pasi mundësi i tyre e ka humbur ndeshjen për medalje të bronzit përballë kundërshtarit nga Uzbekistani. (REL)​

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG