Ndërlidhjet

Rozhaja nuk frikësohet nga kontesti për kufirin me Kosovën


Rozhajë
Rozhajë

“Ditën D”, si e quajnë në Kosovë ditën kur duhet që Kuvendi në Prishtinë, pas shumë shtyrjeve, përfundimisht ta sjellë vendimin nëse e pranon përkufizimin e vijës kufitare më Malin e Zi, banorët e brezit kufitar në Rozhajë, në rrugë për në Pejë, bazuar në bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë, presin pa tension dhe frikë nga incidente të mundshme.

Njëkohësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, nuk kemi marrë përgjigje në pyetjen nëse në ndërkohë përgjatë kufirit Kosovë-Mali i Zi janë shtuar masat e sigurisë.

"Një ditë e zakonshme, si çdo ditë tjetër. Absolutisht nuk ka shenja të tensioneve, të çfarëdo lloji”, është përshtypja në strukturat komunale të Rozhajës të cilat i përcon Mirza Luboder, zëdhënës i kryetarit të komunës për Radion Evropa e Lirë.

Nëse Rozhaja dhe roazhajasit, siç thuhet, janë dera e marrëdhënieve të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, atëherë siç thotë Esad Plunac, deputet i socialdemokratëve, nuk ka arsye për brengosje në pritje të epilogut të votimit në Kuvendin e Kosovës, që do të duhej të vërtetonte kufirin ndërmjet dy shteteve në afërsi të të cilit ndodhet Rozhaja.

"Ne kemi bashkëpunim të mirë, marrëdhënie të mira fqinjësore. Në këtë periudhë ne Rozhajasit, nuk kemi parë se po ngritët nervozë ose ka marrëdhënie të ngarkuara apo marrëdhënie të diskutueshme, lëvizje të banorëve nga Rozhaja drejt Pejës. Një numër i madh i studentëve nga Rozhaja studiojnë në Kosovë, ka lidhje familjare. Në cepin e shtetit tonë Malit të Zi janë të vendosur me shekuj shqiptarët, që kanë fshatrat e tyre dhe shtëpitë”, thotë Plunac.

Por, sipas informacioneve jozyrtare, të cilat deri tani Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka konfirmuar, masat e sigurisë përgjatë kufirit të dy vendeve janë ashpërsuar.

Një numër i mediave të shtypura kanë njoftuar për siç thonë praninë e shtuar të njësive speciale anti terror të Malit të Zi, përgjatë vijës kufitare me Kosovën, ndërkohë që nga Presidenti Filip Vujanoviq kanë ardhur garancitë se po bëhet fjalë për aktivitete të rregullta.

Në pyetjen nëse në territorin e komunës së Rozhajës këto ditë është vërejtur prani e shtuar e policisë, Mirza Luboder përgjigjet:

"Ne nuk e kemi vërejtur këtë, siç nuk e kanë vërejtur as edhe qytetarët tanë dhe për këtë kemi mësuar nga mediat. Nuk kemi vërejtur dhe ju them me shumë siguri, as tensione, as shenja të çfarëdo gjëje të keqe. Atë që mund ta vërtetojë është se ne në komunën e Rozhajës jemi përkrahës të dialogut politik ndërmjet Malit të zi dhe Kosovës dhe mbështesim fuqishëm përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e këtij kontesti”.

Marrëveshja për demarkacion ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi u nënshkrua vitin e kaluar në Vjenë, por ajo u kundërshtua fuqishëm nga opozita e Kosovës e cila nuk lejoi votimin në Kuvend.

Në kundërshtim të përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet dy vendeve më e zëshmja është lëvizja Vetëvendosje. Përfaqësuesit e saj më 29 qershor kanë hyrë në territorin e komunës së Rozhajës dhe kanë vendosur një tabelë me simbolet e shtetit të Kosovës, në pjesën që e konsiderojnë se me Marrëveshje i është marrë Kosovës dhe “i është dhuruar Malit të Zi.

Esad Plunac nuk ka dilema megjithatë për kufirin.

"Jo vetëm rozhajasit, po qytetet dhe popullata që janë në pjesët tjera sic është lokacioni Rozhajë, besojnë absolutisht në përpjekjet që po bëjnë qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi, se me një komunikim të arsyeshëm, gjithsesi do të mbizotërojë atë që e kanë definuar ekspertët. Dhe gjithsesi nuk do të cenohen marrëdhëniet ndër fqinjësore as tonat në Rozhajë, as të dyja shteteve, ose të qytetarëve të njërit ose shtetit tjetër”, thotë Plunac. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG