Ndërlidhjet

Gjykatësit e zyrtarëve të paditur “pjesë e aferës së përgjimeve”


Gjykata Supreme në Maqedoni
Gjykata Supreme në Maqedoni

Procesi gjyqësor kundër 21 zyrtarëve të lartë shtetëror të akuzuar nga Prokuroria Speciale në Maqedoni, për vepra të rënda penale, do të udhëhiqet nga gjykatës që ishin pjesë e aferës së përgjimeve në bazë të të cilave edhe janë ngritur paditë ndaj zyrtarëve shtetëror.

Njoftimi i bërë nga Gjykata Penale, e cila thotë se përzgjedhja e gjykatësve që do të gjykojnë këto raste, është bërë në bazë të procedurës së rrotacionit apo varësisht angazhimit të gjykatësve, ka nxitur reagime të shumta në opinion duke vënë në pikëpyetje gjykimin e drejtë për veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit.

Në mesin e 21 personave të akuzuar për porositje të dhunës ndaj komunës Qendër të Shkupit që drejtohet nga opozita dhe për shkatërrimin e dokumentacionit të bisedave të përgjuara telefonike, gjenden edhe emrat e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-së në pushtet, i Sasho Mijalkovit ish drejtorit të policisë sekrete dhe të shumë zyrtarëve tjerë të lartë.

“Mendoj se këtu prapavija është politike pasi dyshoj se gjykimet e tyre do të jenë objektive sikur edhe vendimet që duhet të sjellin. Pra, këtu do të ketë një anshmëri të skajshme dhe kjo natyrisht se do të ketë pasoja të rënda pasi do të sjellë në pikëpyetje ligjshmërinë e tërë procesit gjyqësor penalo-juridik”, thotë Profesor i së drejtësi kushtetuese, Osman Kadriu.

Partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja nuk prononcohet lidhur me reagimet në opinion duke theksuar se nuk ndërhyn në punën e gjyqësorit, por nga ana tjetër, akuzat e ngritura nga prokuroria speciale i kishte quajtur “të orkestruara me qëllim diskreditimin e zyrtarëve të VMRO-së.”

Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike thotë se në këtë rast asgjë nuk është e rastësishme dhe se caktimi i gjykatësve kundërthënëse për të gjykuar rastet në fjalë dëshmon se presionet ndaj Prokurorisë Speciale nuk do të kenë të ndalur.

“Kjo nuk është rastësi. Këtë e shoh si vazhdimësi të pengesave të shumta që po i bëhen punës së prokurorisë speciale e të cilat do të vazhdojnë deri në zgjedhje, e ndoshta edhe pas tyre. Prokuroria Speciale duhet të jetë e gatshme ndaj veprimeve të tilla dhe në asnjë moment të mos dorëzohet në punën e nisur për zbardhjen e krimeve të bëra".

"Gjykatat do të gjykojnë ashtu siç do të vlerësojnë, por partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja nuk do të ndalet me presionet e saj deri në formimin e qeverisë së re, si ndaj Prokurorisë Speciale ashtu edhe ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë njëjtë si ajo. Fakti se për të gjykuar rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale janë caktuar gjykatës të përfshirë në aferën e përgjimeve flet qartë se pushteti aktual bën atë çfarë mendon dhe nuk zgjedh metoda për të mbrojtur pozicionet në qeveri”, thotë Nikolla Dujoski.

Nga ana tjetër, Osman Kadriu, thotë se Prokuroria Special mund të kërkoj përjashtimin e gjykatësve të kontestuar nga zhvillimi i procesit gjyqësor. Ai thotë se në shtete normale vet gjykatësit e tillë do të duhej të kërkonin të mos udhëhiqnin me këto lëndë.

“Prokuroria Speciale nuk ka bërë kërkesë për përjashtimin e tyre, por kjo nuk do të thotë se këtë nuk mund ta bëj në procedurën e mëtejmë, pra pasi të fillojë gjykimi. Sipas rregullativës pozitive tek ne, por edhe më gjerë, në këto raste është e udhës që gjyqtarët konkret të cilët janë të përfshirë në përgjime dhe nëse lëndët konkrete i bie që t'i gjykojnë, ata vet duhet të kërkojnë dorëheqjen e tyre nga këto lëndë”, thotë Kadriu.

Prokuroria Speciale gjatë bërjes publike të padive të ngritura kishte njoftuar se proceset gjyqësore do të zhvillohen me procedurë të shpejtuar pasi veprat për të cilat akuzohen zyrtarët janë të dënueshme prej 1 deri më 5 vite burg.

Por, përveç caktimit të gjykatësve ende nuk asnjë njoftim se kur mund të fillojnë proceset gjyqësore. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG