Ndërlidhjet

Kerry: Shumë afër pezullimit të bashkëpunimit me Rusinë në Siri


John Kerry
John Kerry

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha sot se Uashingtoni është “buzë” suspendimit të bisedimeve me Rusinë, lidhur me bashkëpunimin në Siri, për shkak të ofensivës të forcave ruse dhe të qeverisë së Sirisë, e cila po vazhdon në qytetin Alepo.

Zoti Kerry tha se sulmet ajrore, që i kanë vrarë mijëra civilë në lagjet që janë nën kontroll të kryengritësve në Alepo, gjatë 10 ditëve të kaluara, ishin “krejtësisht kundër ligjeve të luftës”.

Moska i ka hedhur poshtë thirrjet e SHBA-ve për ta përfunduar sulmin në Alepo, duke thënë se forcat ajrore ruse do ta vazhdojnë mbështetjen për forcat qeveritare të Sirisë, që gjenden atje.

Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se thirrjet e Shteteve të Bashkuara janë ekvivalente me mbështetjen e terrorizmit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot pas një bisede telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se Rusia ka “përgjegjësi speciale për ndaljen e dhunës dhe për t’i dhënë rast procesit politik” në Siri.

Zyra e zonjës Merkel ka njoftuar se presidenti Erdogan është pajtuar se “përsëritja evidente e dhunës kundër së drejtës ndërkombëtare humanitare” në Alepo është “e papranueshme” dhe se “armëpushimi është urgjentisht i nevojshëm më tepër se kurrë më parë”.

XS
SM
MD
LG