Ndërlidhjet

Lufta e SHBA-së në Afganistan: 15 vjet, tri histori


Roya Mahboob
Roya Mahboob

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën fushatën e bombardimeve në Afganistan, më 7 tetor 2011, që çoi në përfundimin e regjimit fundamentalist taliban dhe inicoi një prej projektjeve më të kushtueshme në botë të rindërtimit.

Që atëherë, Afganistani ka bërë përparim të rëndësishëm në të drejtat e grave; miliona fëmijë shkojnë në shkollë dhe media e pavarur ka filluar të lulëzojë.

Por, pavarësisht se janë shpenzuar miliarda dollarë, Afganistani vazhdon të jetë njëri prej shteteve më të varfëra dhe më jostabile në botë, me korrupsion, trafikim të drogës dhe rritja e pasigurisë ka shkaktuar shqetësim botëror.

Përderisa lufta më e gjatë në historinë e SHBA-së hyn në vitin e 16-të, Radio Evropa e Lirë ka pyetur afganë nga pjesë të ndryshme të vendit se si mendojnë që jetët e tyre janë prekur dhe se çfarë mendojnë se i pret në të ardhmen.

Roya Mahbook

Në vitin 2001, Roya Mahbook ishte 12 vjeçare dhe jetonte me familjen e saj në një lagje në Iran, ku ishin shpërngulur pas pushimit sovjetik të vitit 1979. Si një refugjate afgane, Mahbook nuk mund të shkonte në shkollë iraniane. Pa qasje në internet apo edhe kompjuterë, interesimi i saj për teknologjinë filloi nga leximi i librave për pajisjet kompjuterike.

“Kur u ktheva në Afganistan gjeta shumë mundësi të reja”, tregon Mahbook, që vjen nga qyteti perëndimor afgan Herat.

“Si unë, aty kishte shumë djemë dhe vajza që shfrytëzuan mundësitë për të ndryshuar jetën e tyre, të familjes së tyre dhe ndryshuan të ardhmen e tyre”.

Sot ajo është njëra prej të paktave drejtoresha ekzekutive në vend. Ajo themeloi shërbimin afgan Citadel, një firmë e konsultimeve për teknologji në vitin 2010 dhe ka 25 punonjës (shumica prej tyre femra). Kompania e saj u ofron asistencë për kompjuterë dhe internet shkollave, spitaleve dhe bizneseve në mbarë vendin. Në vitin 2013, revista Time e përfshiu atë në listën e 100 personave më me ndikim në botë.

Në dy vitet e fundit, ajo ka zhvilluar një sistem online të mësimit të menaxhmentit, të quajtur EdyEdy, program i cili një ditë ajo shpreson se do të përdoret nga shkollat dhe bizneset në Afganistan. Roya thotë se dëshiron “të fuqizojë gratë përmes teknologjisë” dhe të krijojë vende të reja të punës për profesionistët e rinj në Afganistan, vend me nivel të lartë të papunësisë.

“Për miliona të rinj në Afganistan jeta ka ndryshuar shumë”, thotë Mahboob. Ajo i referohet regjimit taliban, që zgjati prej vitit 1996 deri më 2001, kohë kur gratë dhe vajzat e kishin të ndaluar të punonin dhe të shkolloheshin.

“Ne nuk kishim shpresë. Ne faktikisht nuk kishim të ardhme”, thotë ajo.

Mahbook mendon se ka pasur “përparim të qartë” në Afganistan në 15 vjetët e fundit, edhe pse ankohet se do të kishte pasur më shumë përparim nëse burimet do të ishin përdorur më mirë dhe korrupsioni i qeverisë do të ishte zhdukur.

Sidoqoftë, ajo akoma ka shpresë. “Jeta është e vështirë dhe lufta akoma ekziston. Nëse flet me afganët, ata nuk janë të sigurt për të ardhmen, por ende kanë shpresë”, shton ajo.

Mohammmad Isaq

Mohammad Isaq është kreu i Unionit të Afganistanit për personat me nevoja të veçanta, një organizatë joqeveritare që ofron shërbime për dhjetra veteranë të hendikepuar nga lufta pothuajse katër dekadëshe.

“Jeta është përmirësuar pak në aspektin ekonomik për mua dhe për të tjerët në Kabul”, thotë Isaq.

Ai thotë se nën administratën e ish-presidentit Hamid Karzai – i cili dha dorëheqje më 2014 pas zgjedhjeve të para presidenciale, që shënuan tranferimin e parë demokratik të fuqisë në Afganistan- “nuk ka pasur punë”.

Nën regjimin taliban, Isaq ka fituar jetesën duke luajtur futboll në njërën prej dhjetëra ekipeve të krijuara dhe financuara nga udhëheqës të ndryshëm taliban në Kabul. Prapë, ai thotë se e ka të vështirë të kujtojë ndonjë moment të mirë në epokën e talibanëve, të cilën ai e quan “të prapambetur dhe tejet të vështirë”.

Por, ai thotë se sheh pak shpresë për të ardhmen, teksa vendi vazhdon të jetë i zhytur në dhunë dhe afganët ballafaqohen me vështirësi ekonomike, që vjen si rrjedhojë e tërheqjes së forcave ndërkombëtare në vitin 2014.

“Nuk ka shumë vende pune”, thotë ai. “Tensionet etnike janë duke u rritur. Ka shumë pak para në Kabul. Prandaj njerëzit janë duke shitur shtëpitë e tyre dhe po shkojnë jashtë vendit. Me qëllim të mbijetesës njerëzit janë duke shkuar në vende më të sigurta. Në Kabul, bombardime ndodhin pothuajse çdo ditë”, thotë ai.

Por, vajza e tij, Parand, 21 vjeçe, është më optimiste. Ajo përfundoi studimet universitare vitin e kaluar dhe tash punon në arsim. Kjo gjë do të ishte e pamundur gjatë sundimit të talibanëve. Parand ishte vetëm 6 vjeçe kur kishte filluar të ëndërronte të bëhej mësuese.

“Kur i shihja djemtë që shkonin në shkollë, unë pikëllohesha dhe pyesja prindërit pse unë nuk mund të shkoj në shkollë”, kujton ajo.

“Prandaj, babai im më qethi flokët dhe më veshi me rroba të djemve dhe unë shkova në shkollë. Askush nuk më dalloi që isha vajzë. Edhe pasi amerikanët erdhën në vitin 2001, unë vazhdova të shkoja në shkollë e veshur si djalë, sepse nuk e dija si të sillesha si vajzë. Kjo gjë zgjati për vite të tëra”, thotë ajo.

Zahir Jan

Provinca Kandahar, vendlindja e talibanëve, mbetet njëra nga zonat më të paqëndrushme në Afganistan. Dhuna vazhdon të jetë kërcënimi kryesor. Në këtë pjesë ka pasur shumë pak rindërtim apo zhvillim, posaçërisht jashtë kryeqytetit të provincës Kandahar, ku vazhdojnë të jenë të pranishëm militantët.

“Nuk kam parë dhe nuk kam përjetuar asnjë përparim në jetën time”, thotë Zahir Jan, një kopshtar nga Shir-e Surkh, një zonë strategjike e përdorur nga militantët për të nisur sulmet ndaj qytetit. “Nuk ka siguri. Nuk ka pasur përparim. Asgjë”, thotë ai.

Ai jeton me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij në një shtëpi prej balte, që është pjesërisht e rrënuar nga luftimet në mes të talibanëve dhe ushtarëve afganë disa vite më parë. Jan, i cili ka pagë mujore prej 5 mijë afganis (75$), thotë se nuk ka para për ta rindërtuar shtëpinë.

Përderisa shumë banorë në Kandahar jetojnë në mes të dhunës dhe varfërisë, pushtetarët lokalë janë pasuruar përmes sigurimit të kontratave të majme me të huajt. Të tjerët akuzohen se janë të përfshirë në tregtinë miliarda dollarëshe të opiumit, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Jeta ishe e mirë në kohën e talibanëve”, thotë Jan, edhe pse shton se në atë kohë ka pasur pak punë dhe zhvillim. “Nuk ka pasur korrupsion dhe siguria ka qenë e mirë”, shton ai.

Jan shprehet se ka “pak shpresë” për të ardhmen.

“Në qeveri ka luftë të brendshme dhe nuk ka bashkëpunim në mes të udhëheqësve. Asgjë e mirë nuk do të vjen nga kjo. Afganistani nuk do të rregullohet për sa kohë që unë jam gjallë”, shprehet Jan. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG