Ndërlidhjet

Partitë shqiptare në Maqedoni thonë se po hyjnë të pabarabarta në zgjedhje


Parlamenti i Maqedonisë sot ka marrë vendim për shpërndarjen e tij, pasi shumica dërmuese e deputetëve kanë votuar për këtë masë.

Për kanë votuar 110 deputetë, ndërsa kundër nuk ishte askush, duke e hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 11 dhjetor.

Parlamenti i Maqedonisë i ka 123 anëtarë.

“Zgjedhjet e ardhshme në dhjetor duhet ta përfundojnë krizën politike”, tha më herët gjatë ditës, ministri i financave i Maqedonisë, Kiril Minoski, në parlament.

Sot, po ashtu, Parlamenti i Maqedonisë e ka miratuar buxhetin për vitin 2017.

Ndërkohë shumica parlamentare ka hedhur poshtë propozimin e deputetit të Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Aliu për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me qëllim që të barazohet vota e qytetarëve të Maqedonisë, përkatësisht barazimin e njësive zgjedhore konform ligjit.

“Njësia e gjashtë zgjedhore, ku kryesisht gravitojnë shqiptarët, ka rreth 30 mijë votues, më shumë se sa njësitë tjera dhe pavarësisht kësaj të gjitha japin numrin e njëjtë të deputetëve”.

“Tani vota e një qytetari shqiptar vlen më pak se vota e një qytetari maqedonas, sepse me kodin zgjedhor aktual, numri i votuesve që lejohet të lëviz në 6 njësitë zgjedhore me ligj, aktualisht lejohet 5 për qind dhe njësia zgjedhore numër gjashtë ka numër të votuesve mbi 5 për qind”, ka theksuar deputeti Imer Aliu.

Sipas tij, kjo dispozitë ligjore që është vendosur në kodin zgjedhor i cili është miratuar pa konsensus.

Ndryshe, partitë politike nuk kanë arritur të merren vesh për shpërndarjen e numrit të votuesve nëpër gjashtë njësitë zgjedhore, aq sa ka Maqedonia, duke lënë kështu në fuqi zgjidhjen e deritanishme, e cila nga partitë shqiptare vlerësohet si diskriminuese në baza etnike.

Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë Rafiz Haliti, nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse vendoset të shkohet në zgjedhje pa balancimin e numrit të votuesve në 6 njësitë zgjedhore, atëherë partitë politike me vetëdije vendosin të futen në një proces zgjedhor i cili nuk do të jetë i besueshëm.

“Vendosja e partive politike në zgjedhje pa balancimin e njësive zgjedhore sa i përket numrit të votuesve do të thotë se ata me vetëdije futen në një proces zgjedhor i cili nuk do të jetë i besueshëm. Pra, këto zgjedhje nuk do të jenë fer dhe demokratike, sepse vota e qyqarëve nuk do të ketë vlerë të barabartë të cilën gjë e garanton kushtetuta e vendit”, vlerëson Rafiz Haliti.

Ndërkaq Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov ka bërë të ditur se dy partitë kryesore në qeveri VMRO-DPMNE dhe BDI nuk janë të interesuara që të ketë zgjedhje më 11 dhjetor.

Sipas, tij kjo u dëshmua për shkak se koordinatorët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kanë heshtur kur janë pyetur se a do të shpërbëhet të hënën Parlamenti ose jo. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG