Ndërlidhjet

Afganistani po bën bisedime sekrete me talibanët


Afganistan
Afganistan

Një zyrtar i lartë afgan tha se dy raunde sekrete bisedimesh për paqe midis Qeverisë së Afganistanit dhe përfaqësuesve talibanë janë mbajtur në Doha të Katarit.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për Radion Afganistani i Lirë, tha se bisedimet janë zhvilluar qysh në fillim të shtatorit, por nuk dha më shumë detaje.

Të martën, gazeta britanike Guardian ka raportuar se përfaqësues të talibanëve dhe diplomatë afganë kanë nisur fshehurazi bisedimet për paqe në shtator.

Guardian ka thënë se një përfaqësues i talibanëve ka qenë Mullah Abdul Manan Akhund – vëllai i liderit të ndjerë të talibanëve, Mullah Mohammad Omar.

Sipas gazetës, Akhund ka takuar shefin e inteligjencës së Afganistanit, Mohammad Massom Stanekzai, dhe bisedimet “sy më sy” kanë kaluar “pozitivisht”.

Një burim i talibanëve i ka thënë gazetës Guardian se një zyrtar amerikan ka qenë i pranishëm në të dyja rrethet e bisedimeve.

Ambasada amerikane në Afganistan ka refuzuar të bëjë komente.

Në fund të shtatorit, Kabuli ka arritur marrëveshje për paqe me liderin e grupit militant Hezb-e Islami, Gulbuddin Hekmatyar.

Marrëveshja është mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar, i cili e ka parë si mostër të mundshme për marrëveshje paqeje me talibanët, të cilët luftojnë për rrëzimin e Qeverisë në Kabul që 15 vjet.

XS
SM
MD
LG