Ndërlidhjet

Presionet ndaj administratës gjatë procesit zgjedhor


Ilustrim
Ilustrim

Afrimi i 11 dhjetorit, ka rritur përplasjet ndërmjet partive politike lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ky proces vlerësohet si më i rëndësishmi që nga pavarësia e Maqedonisë, 25 vjet më parë, për shkak të krizës politike në të cilën ndodhet vendi si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Opozita, e cila merr pjesë me dy ministra dhe tre zëvendësministra në qeverinë kalimtare, e angazhuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka denoncuar presione të shumta ndaj administratës, që sipas saj, kanë nisur t'i bëjnë partitë VMRO dhe BDI, që drejtojnë pjesën dërrmuese të qeverisë.

Aleksandar Kiracovski, zëvendësministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike nga radhët e LSDM-së, ka bërë thirrje për dhënien fund të presioneve, ndërsa ka rikujtuar se autorët e tyre mund të dënohen edhe me burgim.

“Inkurajoj të punësuarit që të mos u nënshtrohen kërcënimeve, presioneve e shantazheve të ndryshme, pasi ata kanë aleatët e tyre që do t'i mbrojnë dhe që do të përkujdesen për të drejtat e tyre. Gjithashtu shkurajoj funksionarët që t'u japin fund presioneve ndaj të punësuarve dhe të mos lejojnë që të bëhen instrument në duart e pushtetit kriminal”.

“Ligji është shumë i qartë dhe dënimet janë të rrepta. Çdonjëri që bën presion, kërcënon apo shantazhon qytetarët, do të përgjigjet me së paku tre vjet burg, por nëse këtë e bën personi zyrtar, dënimi shkon deri në pesë vjet heqje lirie”, ka deklaruar Kiracovski.

Pretendimeve të tilla u është përgjigjur Marta Arsovska -Tomovska, ministre e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike nga radhët e VMRO DPMNE-së. Ajo ka thënë se ndaj punonjësve të administratës askush nuk bën presione, ndërsa ka ftuar Kiracovskin që nëse ka dëshmi, t'i dorëzojë në organet hetuese, në të kundërtën edhe vetë ai mund të përballet me padi.

“Thirrjet për denoncimin e veprave penale në faqet e internetit të personave privat, jashtë institucioneve, janë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe si të tillë shfrytëzohen vetëm për qëllime politike dhe fushatë promovuese”.

“Andaj edhe i bëjmë thirrje Prokurorisë publike të tregojë nëse personat që mbledhin informacione të tilla, kanë paraqitur dëshmi për kryerje të veprave penale. Rikujtojmë se mosdenoncimi i veprës penale, gjithashtu paraqet vepër penale”, ka thënë Arsovska.

Se presionet ndaj administratës janë evidente, flasin edhe organizatat joqeveritare të përfshira në proceset zgjedhore.

Xhabir Deralla nga organizata “Civil”, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende janë të njohura rastet kur punonjës të administratës që ishin në komisionet zgjedhore, ishin detyruar të nënshkruajnë procesverbale me vota të dyshimta.

Deralla konsideron thekson se Maqedonia ka nevojë për zgjedhje të lira dhe jo për presione dhe votime jashtë vullnetit të njerëzve.

“Ne nuk duam zgjedhje me shantazhe, zgjedhje me keqpërdorimin e parave tona, zgjedhje me keqpërdorimin e administratës, me presione, e dhunë. Ne duam zgjedhje të lira që do të organizohen nga struktura që nuk janë partiake”.

“Janë të njohura presionet që bëhen në çdo cikël zgjedhor, në veçanti ndaj të punësuarve në administratë. Hartojnë lista me emrat e tyre duke i kërcënuar se, nëse nuk votojnë për parti të caktuara, do ta humbin vendin e punës, e kështu me radhë. Kësaj dukurie duhet t'i jepet fund sikurse edhe presioneve tjera. Maqedonia duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike”, thotë Deralla nga organizata joqeverita “Civil”, e cila ka qenë e përfshirë në monitorimin e proceseve zgjedhore.

Administrata Publike në Maqedoni numëron mbi 140 mijë persona, andaj edhe joshja ndaj tyre është e madhe nga ana e partive politike, të cilat nuk zgjedhin metoda për të marrë votat e tyre.

Të shumta janë rastet kur nëpërmjet mesazheve telefonike nga shtabet partiake, ata janë ftuar jashtë vullnetit të tyre të marrin pjesë në aktivitete partiake. Rastet e tilla janë denoncuar nga mediet dhe organizatat joqeveritare, por deri më tani institucionet kompetente, ose kanë heshtur, ose kanë ndërmarrë hetime, por që asnjëherë nuk kanë pasur epilog.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG