Ndërlidhjet

Pse Serbia po i arreston shqiptarët nga Kosova?!


Hilmi Kelmendi pas lirimit nga paraburgimi nga autoritetet e Serbisë.
Hilmi Kelmendi pas lirimit nga paraburgimi nga autoritetet e Serbisë.

Dusan Komarcevic

Pas lirimit të Hilmi Kelmendit dhe drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçit, të cilët u mbajtën në paraburgim në Serbi, nën akuzat për krime lufte, tani dilemat kryesore që shtrohen janë se a do të ketë arrestime të ngjashme të shtetasve të Kosovës edhe në të ardhmen në Serbi?!

Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të shmangin lëvizjet drejt Serbisë, për të evituar skenarë e skena arrestimesh të reja. Aktualisht, nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me të cilën do të pushonin arrestimet e tilla, andaj droja për përsëritjen e rasteve të ngjashme mbetet edhe në të ardhmen.

Burgosjet, po bëhen mbi bazën e disa fletë-arrestimeve nga vitet ’90.

Në Kosovë, arrestimet e Kelmendit dhe Thaçit janë parë si mesazh i keq nga ana e Serbisë në kohën kur po zhvillohen bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, kurse në Beograd, ekspertët tërheqin vërejtjen se për rastet që kanë të bëjnë me krime lufte në këtë pjesë të rajonit, duhet pasur shumë kujdes për veprime të tilla.

Sead Spahoviq ishte avokati mbrojtës i Nehat Thaçit dhe Hilmi Kelmendit. Sipas tij, në të dyja rastet, problemi ishte se ata u arrestuan dhe paraburgosën pa fakte të mjaftueshme që e dëshmonin akuzën.

“Këto janë organe që i takojnë sistemit të kaluar të drejtësisë nga Kosova, të cilat janë vendosur nëpër qytetet e Serbisë, e të cilat kanë ngritur lëndë jo adekuate, andaj nuk kishte prova të mjaftueshme në momentin e burgosjes së këtyre njerëzve”, thotë Spahoviq.

Hilmi Kelmendi u burgos në Serbi më 31 tetor, nën akuzat për krime lufte, por në mungesë provash, ishte liruar më 3 nëntor. Kurse Nehat Thaçi, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, u burgos në Serbi më 29 shtator, nën akuzat për terrorizëm, por sërish për mungesë provash, ishte liruar më 1 nëntor.

Avokati Spahoviq, nënvizon faktin se në rastin e Kelmendit, organet e drejtësisë reaguan shpejt dhe e liruan atë, kurse në rastin e Thaçit ai thotë se zgjatja e paraburgimit ishte krejt e pakuptimtë.

“Ndalimi ishte zgjatur nga një qasje raciste ndaj këtij njeriu. Nuk kishte asnjë element. Katër dëshmitarët dëshmuan se ai nuk ishte atje. E dyta, prokurorët kanë mundur të heqin dorë, por ata me qëllim vendosën t’ia zgjasin paraburgimin atij. Ky është sadizëm dhe maltretim i një të pandehuri pa ndonjë nevojë. Kjo është ajo që, në praktikë, Gjykata Evropiane e quan, paraburgimi arbitrar”, vlerëson Spahoviq.

Njohësit e rrethanave thonë se Prokuroria dhe policia do të duhej që të mbledhin më shumë prova para se të vendosin që ta dërgojnë dikë në burg.

Vesna Petroviq nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd thotë se në këtë pjesë të rajonit, organet kompetente duhet të kenë shumë kujdes kur merren me këso raste.

“Duhet pasur shumë kujdes, ngase këto janë çështje të ndjeshme. Para së gjithash, kur flasim për krimet e luftës”, thotë Petroviq. Sipas saj, në këso raste gjithmonë lëshohet alarmi, pavarësisht se cilës përkatësi etnike u takojnë të arrestuarit.

Arrestimet e dy shtetasve të Kosovës në Serbi patën nxitur reagimet e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës. Kurse, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë, Behxhet Shala, ka deklaruar se Brukseli do të duhej të reagonte në lidhje me listat ekzistuese me persona që kërkohen.

“Pala e tretë, në këtë rast Brukseli, që ndërmjetëson në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej t’i detyronte, si Serbinë po ashtu edhe Kosovën, që nëse ka ndonjë listë me emrat e personave që kërkohen, t’i dorëzojnë këto lista”, ka thënë Shala.

Arrestimet e fundit, kanë hapur edhe dilemën rreth dialogut, të cilin Bashkimi Evropian e ka cilësuar si proces të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përgatiti: Zijadin Gashi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG