Ndërlidhjet

Partitë keqpërdorin fëmijët gjatë fushatës


Pamje nga një tubim zgjedhor në Maqedoni ku shihet prania e një fëmije.
Pamje nga një tubim zgjedhor në Maqedoni ku shihet prania e një fëmije.

Organizatat, të cilat në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë ngritur zërin kundër keqpërdorimit të fëmijëve për qëllime politike gjatë fushatës zgjedhore.

Keqpërdorime janë evidentuar në rastet si promovimi i kandidatëve për deputetë në shkollat fillore dhe kopshtet e fëmijëve ku është shënuar një rast në Tetovë; shfaqjen e fëmijëve në mitingjet e partive, si dhe përdorimi i shkollave si shtabe të partive politike apo zvogëlimin e numrit të stafit në shkolla apo çerdhe, sepse një pjesë e tyre duhet të paraqiten me detyrim mitingjet e partive politike.

Dragi Zmijanac drejtues i Ambasadës për fëmijë “Megjashi”, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se çdo rast, i cili evidentohet në SOS telefonin për fëmijë dhe të rinj në kuadër të ambasadës, do të ngrihet procedurë në organet më të larta të Kombeve të Bashkuara, përfshi këtu dhe Komitetin për të Drejtat e Fëmijëve.

“Tërë kohës jemi në kontakt me shkollat fillore dhe ata të mesme dhe kemi njohuri se një pjesë e shkollave janë shndërruar në shtabe politike, si dhe janë shënuar keqpërdorime të formave të ndryshme për qëllime të fushatës zgjedhore".

"Të gjitha rastet evidentohen nga ana jonë dhe përkëtë do të informohet faktori ndërkombëtar, si dhe komiteti për të drejtat e fëmijëve. Edhe një herë e theksoj se fëmijët nuk duhet lejuar të bëhen viktimë e mësimdhënësve, të cilët janë aktivistë partiakë, aq më pak partive politike që përmes fëmijëve të përfitojnë vota”, ka theksuar Zmijanac.

Ndërkaq, Ali Pajaziti, sociolog, duke komentuar keqpërdorimin e fëmijëve për qëllime politike nga ana e partive politike në Maqedoni, me theks ata të cilët janë në pushtet, thotë se prania e kësaj dukurie, edhe pse politikanët janë të vetëdijshëm se shkelin Kodin zgjedhor, flet qatë për degradimin e politikës si veprimtari publike.

“Në asnjë mënyrë në fushatë zgjedhore nuk duhet lejuar prezenca e fëmijëve. Fëmijët nuk duhet lejuar që në këtë ose atë mënyrë të bartin flamuj me emblemat e partive politike ose duke u pozicionuar në skena të ndryshme të partive politike, madje duke ngjyrosur fytyrën me ngjyrat e një opsioni politik”.

“Me çdo kusht duhet të pengohet një traditë e këtillë e shëmtuar dhe në këtë drejtim duhet të kontribuojnë duke filluar nga mediat, deri te qytetari ordiner, duke ngritur vetëdijen. Veçanërisht, përgjegjësia bie mbi politikëbërësit, të cilët duhet të heqin nga karvanët e tyre figurat e fëmijëve”, ka theksuar Pajaziti, ligjërues i shkencave të Sociologjisë në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndryshe, edhe Asociacioni MOST, i cili monitoron tërë procesin zgjedhor me numrin më të madh të vëzhguesve, ka bërë të ditur se të gjitha rastet, të cilat kanë të bëjnë me keqpërdorimin e institucioneve arsimore për qëllime politike, përfshirë këtu dhe rastin e shndërrimin të një shkolle fillore në komunën Çair të Shkupit, në shtab zgjedhor, pasi të evidentohen dhe dokumentohen, do të paraqiten në Prokurorinë Publike, përkatësisht Komisionin e formuar enkas për ndjekjen e parregullsive zgjedhore.

“MOST, rithekson se keqpërdorimi i institucioneve publike në rastin konkret, shkollat fillore, paraqesin vepër penale qe është e dënueshme edhe me burg”, ka theksuar kryetari i Asociacionit MOST, Darko Aleksov.

Ai ka nënvizuar se për këtë rast dhe 98 rastet e tjera siç është presioni ndaj administratorëve, mosndarja e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore etj, ka ngritur iniciativë deri në Komisionin për ndjekje të parregullsive zgjedhore në kuadër të Prokurorisë Publike, komision ky që është formuar në bazë të marrëveshjes politike të Përzhinos.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG