Ndërlidhjet

Siri: Raportohet për suspendim të evakumit nga Alepoja


Pamje nga evakuimi në Alepo të Sirisë
Pamje nga evakuimi në Alepo të Sirisë

Evakuimi i civilëve dhe i luftëtarëve kryengritës nga territori i mbetur në Alepo, që kontrollohet nga kryengritësit, është suspenduar për shkak të raporteve kundërthënëse për dyshime për shkeljen e armëpushimit.

Kanali televiziv shtetëror, Ikhbariya, raportoi se evakuimi është ndalur sot për shkak se kryengritësit kanë kërkuar që t’i marrin me vete të burgosurit.

Por, kanali në favor të opozitës dhe kryengritësve, TV Orient, ka pretenduar se milicitë proqeveritare shiite kanë shtënë kundër konvojeve të autobusëve gjatë largimit nga Alepoja, ka raportuar Reuters.

Kjo agjenci, po ashtu, ka njoftuar se dëshmitarët kanë thënë se së paku katër shpërthime janë dëgjuar në atë hapësirë, ku niseshin autobusët.

Më herët, televizioni shtetëror ka raportuar se evakuimet kanë vazhduar edhe të dytën ditë me radhë dhe ka shtuar se katër konvoje me luftëtarët kryengritës dhe civilët sot u larguan nga enklava e kryengritësve në pjesën lindore të Alepos.

XS
SM
MD
LG